Please enter at least 3 characters.

Mjaft u flijuat për të tjerët – tani është koha të mendoni për veten tuaj

Të thuash “jo” nuk është egoizëm, por mënyra më e mirë për ta rifituar paqen, forcën dhe gëzimin personal

Shumë gra pas të gjashtëdhjetave kthejnë kokën pas dhe kuptojnë se për dekada të tëra ia kanë kushtuar jetën të tjerëve – fëmijëve, partnerit, familjes, punës, prindërve të moshuar, duke i vënë nevojat e tyre në plan të dytë. Nëse jeni në atë pikë kthese, është koha të kuptoni se nuk keni më pse t’i kënaqni të gjithë dhe se nuk duhet të ndiheni fajtorë kur kujdeseni për veten.

Njohja e së vërtetës për veten

“Hapi i parë është të ndërgjegjësoheni për zakonet tuaja. Mund të filloni duke mbajtur një ditar ose duke i dhënë vetes disa minuta qetësie çdo ditë për reflektim. Pyeteni veten: kur dhe për kë bëni më shpesh lëshime? Në çfarë situatash harroni veten? Këto vëzhgime janë çelësi për ndryshim”, shpjegon Joan Senio, autore dhe këshilltare jete për platformën SixtyAndMe.

Ajo shton se ndihmojnë shumë edhe ushtrimet e vetëdijes dhe pranisë mendore, të cilat na mësojnë të qëndrojmë të lidhura me ndjenjat tona. “Është thelbësore të kuptojmë se vlera jonë nuk matet me sa shumë japim për të tjerët. Edhe ju meritoni kujdes. Kur, në vend të ndjenjës së fajit, kultivojmë dhembshuri për veten, e rimarrim fuqinë dhe të drejtën për qetësinë tonë të brendshme.”

Pjesë e këtij procesi është edhe të mësosh të vendosësh kufij. Nuk është e nevojshme të lindë konflikt, mjafton një “jo” e thënë me butësi por me vendosmëri. Shprehje të thjeshta si: “Sot kam nevojë për pushim” apo “Tani nuk mund të ndihmoj” janë fillimi i mirë. Nëse ju vështirësohet, miqtë apo këshilltarët mund t’ju ndihmojnë të praktikoni komunikim të ri. Shprehja e mendimeve, ndjenjave dhe nevojat tuaja nuk është egoizëm – është kujdes për veten. Çdo hap i vogël në këtë drejtim forcon vetëbesimin dhe rivendos ekuilibrin, transmeton Telegrafi.


Rindërtimi i identitetit

“Ashtu siç është e rëndësishme të mësosh të thuash ‘jo’, po aq e rëndësishme është të mësosh të thuash ‘po’, por këtë herë vetes dhe gjërave që ju mbushin me gëzim”, thekson këshilltarja. Kujtoni çfarë ju pëlqente të bënit përpara se jeta e përditshme t’ju zhyste në detyrime: ndoshta piktura, kopshtaria, muzika, joga apo vullnetarizmi. Gjeni kohë për ato pasione që ju rikthejnë ndjenjën e vetvetes.

Ajo sugjeron gjithashtu të lidheni me njerëz që ndajnë të njëjtat interesa. Bashkohuni me shoqata, grupe pune apo komunitete online. Miqësitë e reja mund t’ju frymëzojnë dhe t’ju forcojnë, duke ju kujtuar se zëri, buzëqeshja dhe prania juaj kanë vlerë. Identiteti që nuk bazohet vetëm te kujdesi për të tjerët, por edhe te gëzimi personal, rindërtohet përmes momenteve të vogla të përditshme kur i jepni vetes përparësi.

Lidhja dhe pranimi i mbështetjes

Ndjenja e përkatësisë është thelbësore për mirëqenien emocionale, sidomos në moshë të pjekur. Nëse ndonjëherë ndiheni të vetmuara, nuk jeni të vetmet. Ekzistojnë shumë grupe mbështetëse për gra mbi 60 vjeç apo për ato që kujdesen për të tjerët. Një bisedë me dikë që e kupton historinë tuaj mund të jetë burim force dhe lehtësimi.

Me ndihmën e terapistëve ose trajnerëve të jetës që kuptojnë sfidat e kësaj moshe, do të gjeni më lehtë mjetet për zhvillimin personal. Qendrat për të moshuarit ofrojnë shpesh trajnime, aktivitete dhe punëtori krijuese, mundësi të shkëlqyera për ta rigjallëruar jetën shoqërore. Dhe nëse ju përshtatet më shumë komunikimi online, bashkohuni në forume apo grupe ku mund të ndani përvoja, të kërkoni këshilla dhe të ndiheni të dëgjuara.

Nga barra e sakrificës te liria personale

Çlirimi nga “sindromi i martires” nuk ndodh brenda natës, është një proces i thellë që kërkon përballje me bindjet e vjetra dhe ndryshim të sjelljeve që nuk ju shërbejnë më. Por ky proces sjell liri të vërtetë, nga lodhja e përhershme, nga ndjenja e detyrimit dhe nga trishtimi i fshehtë që askush nuk e vëren.

“Kur mësojmë të vendosim kufij, të kultivojmë dhembshuri për veten dhe të kërkojmë ndihmë pa turp, fillojmë të ndërtojmë një jetë që nuk matet me sa jemi flijuar, por me sa jemi të sinqerta ndaj vetes. Në atë liri të re, me gëzim zbulojmë se sa shumë kemi ende për të jetuar, sepse kemi fituar të drejtën për lumturi,” përfundon këshilltarja.

Po ju? Çfarë ju sjell gëzim sot? A e keni qepur tashmë jetën sipas masës suaj? Si ka reaguar rrethi juaj? Na shkruani – ndoshta rrëfimi juaj do të frymëzojë dikë tjetër. /Telegrafi/