Please enter at least 3 characters.

Milani synon transferimin e yllit të Real Madridit për të kompensuar largimin e Leaos

Milani po shqyrton një nga yjet e Marokut për të përforcuar repartin ofensiv, teksa klubi italian po përgatitet për një ndryshim të madh pas largimit të mundshëm të Rafael Leaos.

Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, Milani ka vendosur në listën e dëshirave yllin e Real Madridit, Brahim Diaz, si kandidatin kryesor për rolin e organizatorit të lojës.

“Rossonerët” humbën garën për talentin grek Konstantinos Karetsas, i cili u transferua nga Genk te Borussia Dortmundi për 33 milionë euro, ndaj tani kanë kthyer vëmendjen te alternativa të tjera.

Përveç Diazit, Milani po monitoron edhe Ethan Nwanerin e Arsenalit dhe Matias Soulen e Romës.

Një rikthim i Brahim Diaz në “San Siro” do të ishte një ribashkim me klubin ku ai shkëlqeu nga viti 2020 deri në vitin 2023. Gjatë huazimit te Milani, mesfushori ofensiv zhvilloi 124 ndeshje, shënoi 18 gola dhe dhuroi 15 asistime, ndërsa ndihmoi ekipin të fitonte titullin e Serie A në vitin 2022.

Kontrata e Diazit me Real Madridin skadon në vitin 2027. Edhe Juventusi kishte shfaqur interes për të, por më pas ndryshoi objektiv duke u fokusuar te Karim Alajbegovic i Bayer Leverkusenit.

Ndërkohë, problemi më i madh për Milanin mbetet e ardhmja e Rafael Leaos. Sulmuesi portugez ka bërë të qartë se cikli i tij shtatëvjeçar në Milano mund të ketë përfunduar.

Fillimisht, zgjedhja e Leaos ishte një transferim në Ligën Premier ose La Liga, por pasi nuk erdhën oferta konkrete nga këto liga, ai tashmë ka nisur të shqyrtojë edhe mundësinë e një kalimi në Turqi.

Në këtë situatë, Galatasaray po përgatitet të bëjë lëvizjen e saj, pasi klubi turk ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, ndryshe nga rivali i qytetit, Fenerbahce./Telegrafi/