Please enter at least 3 characters.

Mërgim Vojvoda, rekordmeni i Kombëtares flet për ecurinë e Kosovës: Do të luftojmë për ta bërë ëndrrën realitet

Mërgim Vojvoda është senator i Kombëtares së Kosovës dhe futbollisti me më së shumti paraqitje me fanellën dardane. Ai në kampanjën kualifikuese për Kampionatin Botërorë ka qenë një nga futbollistët më të mirë, duke luajtur 6 sfidat si titullar, pesë prej tyre nga 90 minua dhe një tjetër 76 sosh.

Kosova arriti një sukses historik, duke u kualifikuar në Play-Off për Kampionatin Botërorë, derisa Vojvoda në një intervistë për Telegrafin ka folur për ecurinë e Dardanëve.

30-vjeçari që deri më tani ka zhvilluar 71 ndeshje me fanellën e Kosovës (më shumë se çdo futbollist tjetër), e mbylli kampanjën kualifikuese me 526 minuta të luajtura dhe një asistim ndaj Sllovenisë te goli i Fisnik Asllanit.

Në fillim, Vojvoda e vlerëson kampanjën kualifikuese të Kosovës si një prej më të mirave deri tani, si në aspektin ofensivë ashtu edhe në atë defensivë. Ai thekson se ekipi tregoi stabilitet dhe një rritje të madhe gjatë gjithë rrugëtimit.


KosovaFoto: FFK

"Ka qenë një kampanjë shumë pozitive në çdo aspekt, si në ofensivë ku kemi dhënë shumë gola si në aspektin defensivë, përveç ndeshjes së parë ku tani nuk pranuam gola deri ndeshjen e fundit. Ka qenë diçka pozitive për ne si lojtar dhe si Kombëtare", thotë Vojvoda për Telegrafin.

Kur vjen te momenti kur u pa grupi me Suedinë, Zvicrën dhe Slloveninë, Vojvoda pranon se sfida ishte tejet e madhe, por ekipi besoi në forcën dhe në punën e vet.

"Me të vërtetë ka qenë shumë grup i vështirë, pasi e dimë kualitetin e Suedisë, Zvicra pastaj ka treguar kualitetin në çdo botëror ose çdo kampionat ku ka marrë pjesë. Sllovenia është një Kombëtare e fortë. Besoj se forca jonë e bëri vetëbesimin te lojtarët dhe te puna e madhe që kemi bërë dhe në fund ia dolëm. Kryesorja është se ia dolëm", vazhdon tutje mbrojtësi i djathtë dardan.

Pjesë e suksesit, sipas tij, ishte fakti se skuadra ka fituar më shumë konkurrencë, më shumë thellësi dhe ka një kombinim ideal mes lojtarëve të rinj dhe atyre me eksperiencë.

"Futbollistë me kualitet ka pasur gjithmonë Kosova, por tani ka edhe më shumë pasi është rritur konkurrenca dhe e dimë se kur një ekip ka konkurrencë është ndryshe dhe të shtyn të bëhesh më i fortë dhe gjithë kjo është një mix mes lojtarëve të rinj dhe atyre me eksperiencë. Besoj se kjo e ka bërë këtë Kombëtare më të pjekur dhe më të freskët, pasi kemi të dyja. Ne që kemi qenë më herët unë, Amiri (Rrahmani), Vedati (Muriqi) apo Miloti (Rashica) e të tjerë kemi eksperiencë dhe tani kanë ardhur këta të rinjtë që na ndihmojnë shumë dhe janë të freskët. Kjo e bëri Kosovën shumë të fortë", tha Vojvoda për Telegrafin.

Kosova në Play-Off do të përballet fillimisht me Sllovakinë në udhëtim, por në rast fitoreje atëherë në Prishtinë pret fituesin e duelit Turqi - Rumani.

Vojvoda mbetet realist, por i vendosur. Anësori e di forcën e Sllovakisë, por thotë se Kosova ka kapacitet që ëndrrën ta bëjë realitet.

"Gjysmëfinalja do të jetë shumë e vështirë pasi e dimë se do të luajmë në Sllovaki dhe Sllovakia është një Kombëtare e fortë, sidomos kur të luan në shtëpi. Gjithsesi besoj se çdo skuadër që ka arritur në Play-Off ka treguar se ka kapacitet për të shkuar në Botëror dhe ne jemi pjesë e atyre kombëtareve. Kapacitet kemi për të shkuar në Botëror dhe është kjo ëndërr dhe duhet të bëjmë çmos për të arritur deri aty. Pastaj kemi fatin që finalja është në Prishtinë, megjithatë akoma nuk mund të flas për atë sepse kemi punë njëherë në gjysmëfinale", tha mbrojtësi kosovar.

Ai zbulon edhe momentin kur skuadra filloi të besonte fuqishëm se Play-Offi ishte i arritshëm.

"Ndeshje pas ndeshje. Besoj që kur kemi barazuar me Slloveninë kemi besuar se mund të shkojmë dhe të bëjmë gjëra të mëdha. Ndeshja ndaj Sllovenisë dhe ajo ndaj Suedisë na kanë dhënë shumë kurajo për të vazhduar te para".

Në aspektin emocional, Vojvoda nuk harron të falënderojë tifozët, duke e vlerësuar mbështetjen e tyre si një nga armët kryesore të ekipit.

"Ne shtëpi e dimë si është atmosfera, por sidomos në Slloveni dhe Suedi kemi pasur mbështetjen e Dardaneve dhe ka qenë një forcë shumë e madhe për ne. Dua t'i falënderoj me gjithë zemër dhe besoj se do të na mbështesin edhe në Sllovaki dhe ishalla do Zoti edhe në Prishtinë në finalen e mundshme", u shpreh Vojvoda për Telegrafin.


Sa i përket karrierës së tij te Como dhe synimeve personale, ai thotë se objektivi është i qartë: progres dhe arritje më të mëdha sezon pas sezoni, derisa tani synojnë garat evropiane me klubin bardhekaltër.

Vojvoda është një titullar i padiskutueshëm te Como dhe ndër lojtarët më të mirë të kësaj skuadre e cila është duke zhvilluar një kampionat të madh në Serie A. Ylli dardan ka zhvilluar nëntë ndeshje në Serie A, ku ka shënuar edhe një gol, derisa ka dy ndeshje në Kupën e Italisë dhe ka dhënë kontribut me një asistim.

"Objektivat janë me Comon që të shkojmë sa më lartë, të kualifikohemi në Evropë dhe të bëjmë gjëra të mira. Klubi dy vite më parë ka qenë në Serie B kështu që deri më tani ka arritur gjëra të mëdha shumë shpejt në shumë aspekte. Kështu që kemi ende për të përpunuar dhe shpresoj që ta ndihmoj sa më shumë skuadrën që të shkojmë në Evropë".


Në fund, Vojvoda flet edhe për bashkëpunimin me trajnerin e tij, legjendën Cesc Fabregas, i cili sipas tij e ka ndihmuar shumë në zhvillimin personal.

"Fabregas është një maestro siç i thomë ne. Është një trajner shumë i ri pasi ka filluar menjëherë pas përfundimit të karrierës. Është një gjë e mirë që ka akoma reflekset e lojtarëve dhe di si t’i trajtojë lojtarët dhe ajo është shumë e rëndësishme".

"Me të mund të përparojmë në çdo aspekt. Ai është spanjoll dhe e dimë si luajnë spanjollët dhe mua më konvenon shumë, pasi kam qejf të kem kontakt të shpeshtë me topin dhe të adaptohem në shumë sisteme dhe kjo është një gjë e mirë", përfundoi Vojvoda.

Como pas 11 ndeshjeve në Serie A zë vendin e shtatë në tabelë me 18 pikë, gjashtë më pak se lideri Inter. Skuadra e Mërgim Vojvodës është skuadra e dytë me mbrojtjen më të fortë në Serie A pas Romës, derisa ndeshjen e radhës bardhekaltërtit do ta zhvillojnë ndaj Torinos në udhëtim. /Telegrafi/

true