Mbi 8.7 milionë euro investime në Qarkoren e Gjakovës
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se kanë përfunduar punimet për rikonstruimin dhe zgjerimin e rrugës “Bujar Roka”, e cila është pjesë e Qarkores së re të Gjakovës.
Sipas njoftimit të Bashës, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka investuar mbi 5 milionë euro në këtë projekt, i cili synon të përmirësojë infrastrukturën rrugore dhe të lehtësojë qarkullimin në qytetin e Gjakovës.
Ai bëri të ditur se, së bashku me kontratën e realizuar më herët për daljen e Gjakovës në drejtim të Prizrenit dhe projektin që është në realizim e sipër për tranzitin e ri, investimi i përgjithshëm i Ministrisë në Qarkoren e Gjakovës arrin në 8.7 milionë euro.
Sipas njoftimit, projekti është hartuar nga Komuna e Gjakovës, ndërsa financimi është mbuluar në tërësi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.
Basha theksoi se ky investim pritet të përmirësojë qarkullimin, të rrisë sigurinë në trafik dhe të krijojë kushte më të mira për qytetarët dhe bizneset në Gjakovë. /Telegrafi/


