Mbështetje për rastet e rënda shëndetësore, Komuna e Mitrovicës hap thirrjen për aplikim
Drejtoria për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës ka njoftuar se nga 7 prilli do të nisë aplikimi për subvencione për përballimin e shpenzimeve shëndetësore, proces i cili do të zgjasë deri më 6 maj 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, kërkesat do të shqyrtohen në përputhje me Rregulloren Komunale nr. 08/2023, e cila përcakton kushtet, kriteret dhe procedurat për ndarjen e subvencioneve.
Subvencionet do të ndahen për raste të ndryshme, përfshirë pacientët me probleme të rënda shëndetësore, fëmijët me probleme shëndetësore dhe çrregullime të ndryshme, si dhe personat me sëmundje kronike që jetojnë në kushte të vështira ekonomike.
Autoritetet komunale bëjnë të ditur se përparësi do t’u jepet rasteve specifike, si pacientët e sapodiagnostifikuar me sëmundje malinje, rastet me kosto të lartë trajtimi, familjet me gjendje të rënduar ekonomike, si dhe trajtimet që kryhen në institucione private brenda dhe jashtë vendit, kur mungojnë mundësitë e trajtimit në sektorin publik.
Për të përfituar nga këto subvencione, aplikuesit duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës, përfshirë kërkesën, dokument identifikimi, dëshmi për gjendjen shëndetësore nga mjeku specialist, dëshmi për koston e trajtimit dhe gjendjen ekonomike, konfirmim bankar si dhe dokumente që vërtetojnë lidhjen familjare.
Nga Drejtoria për Shëndetësi theksojnë se kërkesat e pakompletuara apo ato me mungesë dokumentacioni nuk do të shqyrtohen. /Telegrafi/


