Please enter at least 3 characters.

Max Allegri e largon presionin për titull: Inter dhe Napoli favoritët për Serie A

Massimiliano Allegri ka folur në pjesën e dytë të konferencës për shtyp në prag të përballjes shumë të rëndësishme të Milanit ndaj Sassuolos, një test kyç për Rossonerët para udhëtimit drejt Arabisë Saudite.

Trajneri i Milanit u ndal te situatat individuale, gara për titull dhe vështirësitë e ndeshjes së radhës. Duke folur për Christopher Nkunku, Allegri theksoi se sulmuesi duhet të jetë më i qetë dhe më i çliruar në lojën e tij.

“Ai duhet të jetë më i relaksuar. Ka ardhur në një ambient ku të gjithë e donin – shokët e skuadrës, trajneri dhe klubi kanë besim të plotë tek ai. I kam thënë se duhet të buzëqeshë pak më shumë; nëse buzëqesh më shumë, gjërat do të shkojnë mirë. Ka teknikë shumë të mirë dhe nga tani deri në fund të vitit do të bëjë gjëra shumë të mira”.

Allegri foli edhe për garën për titull, duke vlerësuar Interin dhe Napolin si favoritë kryesorë.

“Interi dhe Napoli e përfunduan sezonin e kaluar në vendin e parë dhe të dytë, ndaj është normale që ata të jenë favoritët. Milani ka ndryshuar shumë lojtarë, por kanë ardhur futbollistë shumë cilësorë. Jemi në një rrugë ku duhet të kemi ambicie dhe besim, duke nisur nga ideja se Milani duhet të kthehet në Ligën e Kampionëve”.

“Nesër duhet të bëjmë një hap tjetër në renditje. Kemi 31 pikë, por duhen shumë të tjera për objektivin sezonal. Gjëja më e rëndësishme është të arrijmë në mars në gjendjen më të mirë të mundshme”.

Trajneri i kuqezinjve nuk la pa komentuar as Sassuolon, që drejtohet nga Fabio Grosso, duke paralajmëruar për rreziqet që sjell kjo ndeshje.

“Kemi parë që Sassuolo ka karakteristika shumë të qarta. Ata bënë një ndeshje të mirë edhe kundër Interit në ‘San Siro’. Duhet të tregojmë shumë respekt dhe të jemi shumë të organizuar në mbrojtje. Nëse humbasim ekuilibrin, mund t’i hapim vetes probleme”.

“Për të marrë tri pikët nesër, na duhet një paraqitje shumë serioze në çdo aspekt: teknik, fizik dhe mendor”, deklaroi ai./Telegrafi