Please enter at least 3 characters.

Malit të Zi i janë ndarë 3.2 miliardë euro nga buxheti i ardhshëm shtatëvjeçar i BE-së

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, njoftoi se vendi i tij është përfshirë në buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të Bashkimi Evropian për periudhën 2028–2034.

Spajiq e bëri të ditur lajmin përmes rrjetit social X, duke theksuar se bëhet fjalë për një zhvillim të rëndësishëm që ka mbërritur zyrtarisht nga Brukseli.

Ai tha se Mali i Zi është bërë pjesë e kornizës së ardhshme financiare të BE-së për periudhën 2028–2034.

“Vendi ynë është i vetmi shtet kandidat i përfshirë në këtë kornizë financiare, gjë që konfirmon se BE-ja e sheh Malin e Zi si anëtarin e saj të ardhshëm. Sipas projeksioneve të Komisioni Evropian, Mali i Zi do të mund të shfrytëzojë rreth 3.2 miliardë euro nga buxheti i BE-së, sipas të njëjtës strukturë që vlen për shtetet anëtare. Kjo nënkupton më shumë investime, mbështetje më të fuqishme për ekonominë, infrastrukturën, bujqësinë, politikat sociale, komunitetet lokale dhe, mbi të gjitha, një cilësi më të mirë të jetës për qytetarët tanë. Falënderoj Komisionin Evropian për besimin, partneritetin dhe mbështetjen në rrugën drejt anëtarësimit të afërt të Malit të Zi në BE”, shkroi Spajiq.

Kreu i qeverisë malazeze shprehu gjithashtu mirënjohje të veçantë për Qipro, e cila kryesoi Këshilli i Bashkimit Evropian gjatë gjashtë muajve të fundit.

Sipas njoftimit, Komisioni Evropian, pas 17 vitesh, ka nisur punën për Traktatin e Anëtarësimit të një shteti të ri në BE dhe ka prezantuar paketën financiare që lidhet me anëtarësimin e Malit të Zi. /Telegrafi/