Please enter at least 3 characters.

“Magjia rikthehet”, Nicole Kidman dhe Sandra Bullock surprizojnë fansat para vazhdimit të “Practical Magic”

Nicole Kidman dhe Sandra Bullock kanë emocionuar fansat duke u ribashkuar për një shfaqje speciale të filmit kult “Practical Magic”, vetëm disa javë para publikimit të vazhdimit të shumëpritur.

Dy aktoret surprizuan publikun gjatë eventit Cinespia në Hollywood Forever Cemetery në Los Angeles, ku u shfaq filmi origjinal i vitit 1998.

Dalja e tyre në skenë u prit me brohoritje të mëdha nga fansat, të cilët kishin ardhur për të rikujtuar historinë magjike të motrave Owens, shkruan DailyMail.

Sandra Bullock, e cila luan rolin e Sally Owens, u shpreh se filmi ishte zgjedhja perfekte për një shfaqje në një varrezë, ndërsa Nicole Kidman falënderoi publikun për mbështetjen ndaj vazhdimit të ri që do të publikohet së shpejti.

Në këtë takim special iu bashkuan edhe Joey King dhe Maisie Williams, të cilat do të interpretojnë vajzat e personazhit të Bullock në filmin e ri.

Katër aktoret ngritën një dolli me margarita, duke rikrijuar një nga momentet më të njohura të filmit të parë.

“Practical Magic”, i publikuar në vitin 1998, tregonte historinë e motrave Gillian dhe Sally Owens, të interpretuara nga Kidman dhe Bullock, të cilat vinin nga një familje me tradita magjike. Filmi u shndërrua ndër vite në një vepër të dashur për publikun.

“Practical Magic 2” do të sjellë sërish në ekran Nicole Kidman dhe Sandra Bullock në rolet e tyre ikonike, ndërsa premiera në kinema është planifikuar për 11 shtator.

Filmi i ri është shkruar nga Akiva Goldsman, Kelly Marcel dhe Georgia Pritchett, ndërsa regjinë e mban Susanne Bier. /Telegrafi/