Please enter at least 3 characters.

LVV dorëzon kallëzim penal për subvencionet në Prizren

Asamblistët nga Lëvizja Vetëvendosje në Prizren kanë deponuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit lidhur me procesin e ndarjes së subvencioneve nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas raportimit të TV Prizrenit, kuvendarët e LVV-së kanë ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si janë vlerësuar dhe përzgjedhur përfituesit e subvencioneve, duke pretenduar parregullsi, konflikt interesi dhe trajtim të pabarabartë të organizatave.

Asamblistët kanë thënë se fillimisht kishin kërkuar që kjo çështje të përfshihej në rendin e ditës së Kuvendit Komunal, me qëllim që të shprehnin pakënaqësitë e tyre lidhur me ndarjen e mjeteve për kulturë, rini dhe sport. Sipas tyre, kjo kërkesë ishte votuar kundër.

Ata kanë treguar se më pas ishin ftuar në takim me drejtoreshën përkatëse në orën 13:30. Megjithatë, sipas deklaratës së tyre, rreth një orë para takimit, grupi ishte njoftuar se takimi ishte anuluar.

“Ne si grup u përgatitëm për atë orar, mirëpo një orë më herët kemi pasur njoftim nga drejtoresha se takimi është anuluar. Erdhëm sot si kuvendarë të bisedojmë”, është thënë në deklaratën e tyre.

Kuvendarët kanë pretenduar se në kuadër të procesit janë ndarë rreth 300 mijë euro për përfituesit dhe kanë kërkuar që dokumentacioni lidhur me këtë proces të hetohet nga organet kompetente.

“Këtë kallëzim penal e kemi dorëzuar në bazë të dokumentacionit që kemi marrë nga ata persona”, kanë deklaruar kuvendarët.

Sipas pretendimeve të LVV-së, një anëtar i komisionit vlerësues kishte përfituar rreth 28 mijë euro nga fondet e subvencioneve. Kjo është një nga çështjet që, sipas tyre, duhet të jetë objekt i hetimit nga Prokuroria.

Kallëzimin penal e kanë dorëzuar kuvendarët e LVV-së, Dafina Alishani, Ilir Gashi dhe Selman Sokoli, të cilët kanë kërkuar hetimin e procesit të ndarjes së subvencioneve dhe verifikimin e dokumentacionit të paraqitur.

Tashmë çështja është adresuar në Prokurorinë Themelore në Prizren, e cila pritet të vlerësojë pretendimet dhe dokumentacionin e dorëzuar. /Telegrafi/