Please enter at least 3 characters.

Lojtari i përjashtuar i Chelseat tregon realitetin brutal të dhomës së zhveshjes dhe tifozët janë të tërbuar

Axel Disasi ka zbuluar një pasqyrë të pazakontë rreth asaj se si është të jesh pjesë e asaj që quhet “skuadër bombë” në Ligën Premier. Termi i përdorur tashmë shpesh i referohet lojtarëve të tepërt që klubet përpiqen t’i largojnë nga listat dhe pagat.

Rasti më i njohur në Angli lidhet me Manchester United, ku disa futbollistë si Jadon Sancho, Antony, Alejandro Garnacho dhe Tyrell Malacia u izoluan nga ekipi i parë, duke u detyruar të stërviten veçmas dhe pa qasje në qendrën stërvitore para orës 17:00.

Situata nuk ndryshon shumë as te Chelsea. Blutë e nisën sezonin e kaluar me plot 43 lojtarë në skuadrën e parë, duke krijuar mbingarkesë të madhe. Një pjesë u larguan përfundimisht, të tjerë u huazuan, ndërsa disa si Axel Disasi, Raheem Sterling dhe Ben Chilwell mbetën në pritje të një të ardhmeje të paqartë në Stamford Bridge.

Disasi së fundmi ndau në Instagram disa imazhe nga ndeshjet parasezonale, përfshirë edhe një fotografi nga dhoma e zhveshjes së lojtarëve të lënë mënjanë. Ambienti i ngushtë, me stola druri dhe emra të vendosur mbi pllaka, la përshtypje të zymtë tek tifozët.

Në mesin e atyre që shiheshin aty ishin Disasi, Chilwell, Carney Chukwuemeka dhe Lesley Ugochukwu (i cili tashmë është bashkuar me Burnleyn). Por vëmendjen më të madhe e mori mbrojtësi i ri Alfie Gilchrist, i ulur me kokën në duar, përballë Armando Brojës – që ndërkohë është larguar drejt Burnleyt.

Gilchrist, i krahasuar dikur me legjendën John Terry, debutoi me Chelsean në vitin 2023, por më pas kaloi një sezon huazim te Sheffield United. Pavarësisht pritshmërive, Blades nuk vendosën të blinin kartonin e tij, dhe mbrojtësi 21-vjeçar tani lidhet me ekipe nga Championshipi dhe Arabia Saudite.

Aktualisht, ai nuk ka marrë pjesë në asnjë nga fushatat parasezonale të Chelseat, nuk është përfshirë në Botërorin e Klubeve dhe as në dy ndeshjet e para të Premier Ligës, duke shtuar dilemat për të ardhmen e tij.

Tifozët kanë reaguar ashpër ndaj trajtimit të Gilchrist. Njëri prej tyre shkroi: “Asnjë futbollist nuk meriton të trajtohet kështu, e sidomos jo Gilchrist, që nuk ka bërë asgjë të gabuar.” Një tjetër shtoi: “Imagjino të jesh tifoz i përjetshëm i Chelseat dhe të ndihesh i padëshiruar nga klubi yt. Është e dhimbshme”. /Telegrafi/