Lojëra fati dhe drogë, arrestohen tre persona në Fushë-Krujë, mes tyre një punonjës policie
Një punonjës policie dhe dy persona të tjerë janë arrestuar në flagrancë në kuadër të operacionit të koduar “Basti i Fundit”, pas një hetimi për organizimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin dhe veprimtari të tjera të paligjshme në zonën e Fushë-Krujës.
Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në pranga ka rënë punonjësi i policisë Lutfi Dervishi, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Fushë-Krujë, i dyshuar për shpërdorim detyre dhe organizim të lojërave të fatit të paligjshme.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan pajisje elektronike të dyshuara për baste, serverë kompjuterikë, pajisje regjistrimi, telefona celularë dhe lëndë të dyshuar narkotike. Në banesën e punonjësit të policisë u gjetën gjithashtu 119 fishekë të kalibrit 9 mm.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë dhe nëse ka pasur raste favorizimi apo mosveprimi nga punonjës të strukturave ligjzbatuese.
Njoftimi:
Në vijim të operacionit të koduar “Basti i Fundit”, si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera, u arrestuan në flagrancë një punonjës policie dhe dy shtetas.
Lutfi Dervishi me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, me zonë mbulimi qytetin e Fushë-Krujës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 197 të Kodit Penal.
Gjatë kontrollit në banesë iu gjetën 119 fishekë model 9mm.
Sabah Stafuka, banues në Arrameras, Fushë-Krujë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i padënuar më parë.
Fatmir Stafuga, banues në Arrameras, Fushë-Krujë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare.
Arrestimi i shtetasve Sabah Stafuka dhe Fatmir Stafuga u krye për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 197 dhe 283 të Kodit Penal.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet objekt hetimi, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
* 4 pajisje elektronike (makineta) të dyshuara për ushtrimin e lojërave të fatit;
* 2 serverë/njësi kompjuterike, të dyshuara se përdoreshin për aktivitetin e kundërligjshëm;
* 1 pajisje DVR;
* 5 qese me mbështjellje plastike, që përmbanin lëndë të dyshuar narkotike, me peshë totale 2.22 gramë;
* 6 qese të vogla plastike, që përmbanin lëndë të dyshuar narkotike, me peshë totale 4.41 gramë;
* 3 aparate telefonike celulare.
Veprimet hetimore vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë, si dhe evidentimin dhe dokumentimin e çdo rasti të favorizimit, mbështetjes apo mosveprimit nga punonjës të strukturave ligjzbatuese.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e vendosur në përmbushjen e përgjegjësive të saj ligjore, duke zbatuar standard të barabartë përpara ligjit dhe tolerancë zero ndaj çdo punonjësi që, në kundërshtim me detyrën dhe përgjegjësinë publike, përfshihet, favorizon apo mbështet veprimtari të kundërligjshme. /TCH/


