Please enter at least 3 characters.

Lituanezët zbuluan një tunel të ri - bjellorusët kontrabandonin migrantë drejt BE-së

Autoritetet lituaneze njoftuan se pranë fshatit Latežeris kanë zbuluar një tunel nëntokësor që vinte nga Bjellorusia, për të cilin dyshohet se ishte ndërtuar për kontrabandimin e migrantëve drejt territorit të Lituanisë.

Shërbimi Shtetëror i Rojës Kufitare të Lituanisë bëri të ditur se tuneli u zbulua gjatë një kontrolli në komunën Druskininkai, me ndihmën e pajisjeve të specializuara të siguruara nga roja kufitare polake.

Tuneli ishte hapur nën gardhin kufitar në një thellësi prej rreth 1.5 metrash dhe ishte përforcuar me trungje pemësh dhe dërrasa druri.

Kalimi nëntokësor shtrihej rreth katër metra nga territori i Bjellorusisë drejt Lituanisë. Hyrja nga ana bjelloruse ishte e maskuar me një rrjetë kamuflazhi, por punimet nuk kishin përfunduar ende, ndaj migrantët nuk kishin mundur ta përdornin për kalim të paligjshëm të kufirit, raportojnë mediat.

Pasi përfunduan procedurat hetimore, autoritetet e mbushën tunelin me dhe. Autoritetet lituaneze deklarojnë se që nga fillimi i këtij viti kanë regjistruar 12 tentativa për hyrje të paligjshme në vend përmes tuneleve nëntokësore.

Ky është tuneli i tretë që është zbuluar javët e fundit nga njësia kufitare e Varenës. Më 23 korrik, pranë fshatit Pieščiai, u zbulua një tunel rreth 5 metra i gjatë, ndërsa vetëm tre ditë më vonë, më 26 korrik, u gjet një tjetër tunel i papërfunduar pranë fshatit Pertakas, me gjatësi rreth 11 metra, ku u gjetën trungje, rërë e gërmuar dhe kova pune.

Sipas ligjeve të Lituanisë, kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror dënohet me gjobë, arrest ose burgim deri në dy vjet, varësisht nga rrethanat. Njëkohësisht, vendi planifikon që deri në vitin 2027 të zhvendosë rezervat emergjente të ushqimit, karburantit dhe furnizimeve të tjera bazë larg kufirit me Bjellorusinë, në zona më të sigurta. /Telegrafi/