Lirohet hapësira publike në Mitrovicë, synohet ndërtimi i një çerdheje
Komuna e Mitrovicës ka nisur veprimet për lirimin e hapësirës publike ndërmjet rrugëve “Lekë Dukagjini” dhe “Mursel Igrishta”, në zonën e njohur si ish-“DESI”.
Sipas njoftimit të Komunës, veprimet janë ndërmarrë nga Drejtoria e Inspeksionit me kërkesë të Drejtorisë së Arsimit, me qëllim krijimin e kushteve për realizimin e projektit për ndërtimin e një çerdheje.
Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Mujë Igrishta, ka bërë të ditur se procesi i lirimit të hapësirave publike do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.
“Procesi i lirimit të hapësirave publike do të vazhdojë edhe në ditët në vijim”, ka deklaruar Igrishta, sipas njoftimit të Komunës.
Nga Komuna nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me afatet apo vlerën e projektit për ndërtimin e çerdhes.


