Legjenda e “Star Trek”, William Shatner shfaqet në publik, mohon thashethemet për sëmundje të rëndë
Ikona e serialit “Star Trek”, William Shatner, ka bërë një paraqitje të rrallë publike gjatë një eventi në Calgary të Kanadasë, ku u shfaq përballë fansave në një panel diskutimi.
95-vjeçari, i njohur për rolin e Kapiten Kirk në serialin legjendar, u ngjit në skenë gjatë Calgary Expo, ku ndau kujtime nga karriera e tij dhe periudha e xhirimeve të “Star Trek” në vitet e 60-ta.
Shatner u shfaq me stil të thjeshtë dhe në formë të mirë, duke qetësuar fansat edhe një herë pas thashethemeve që qarkulluan në rrjete sociale për një diagnozë të mundshme me kancer në tru, të cilat ai i ka mohuar kategorikisht, shkruan DailyMail.
Gjatë eventit, aktori rrëfeu edhe disa momente nostalgjike nga xhirimet, përfshirë një episod humoristik ku një polic në set e kishte përshëndetur në stilin “Vullkanik”, duke i thënë “jeto gjatë dhe begati”.
Paraqitja e tij vjen pak kohë pasi Shatner reagoi ashpër ndaj lajmeve të rreme në rrjetet sociale, duke theksuar se ato janë të fabrikuara dhe nuk kanë asnjë bazë reale, ndërsa u ka kërkuar fansave të mos bien pre e dezinformimit. /Telegrafi/


