Please enter at least 3 characters.

Lamtumirë përgjithmonë: Xiaomi e mbylli sistemin e vet operativ

Xiaomi ka mbyllur zyrtarisht MIUI, i cili me kalimin e kohës u bë një nga ndërfaqet më të njohura Android në botë, me më shumë se 500 milionë përdorues aktivë në muaj në kulmin e tij.

Pas prezantimit të HyperOS, Xiaomi përditësoi miliona pajisje në sistemin e ri operativ, ndërsa shumë të tjera u futën në listën e pajisjeve që kanë arritur fundin e ciklit të jetës (EOL).

Megjithatë, dy pajisje vazhduan të marrin përditësime MIUI edhe gjatë vitit 2026 – bëhet fjalë për modelet Redmi A2 dhe Redmi A2+. Ato morën Android 13 si përditësimin kryesor, por vazhduan të marrin përditësime sigurie dhe përmirësime më të vogla.

Përditësimi i fundit për to erdhi në dhjetor, ndërsa sipas faqes zyrtare, mbështetja përfundoi më 24 mars 2026. Me këtë, edhe pajisjet e fundit me MIUI ndalojnë së marri çdo përditësim softuerik.

Kjo shënon fundin përfundimtar të MIUI, i cili fillimisht nisi si një projekt “custom ROM” për telefonë Android të prodhuesve të tjerë.

MIUI ishte në fakt produkti i parë i Xiaomi-t, i prezantuar në gusht 2010 dhe i bazuar në Android 2.2 Froyo. Versionet e para shpërndaheshin si ROM i personalizuar për telefona Android.

Pse Xiaomi kaloi në HyperOS?

Në tetor 2023, Xiaomi njoftoi zyrtarisht se sistemi i ri operativ HyperOS do të zëvendësojë MIUI. Pak ditë më vonë, u lançua Xiaomi 14 si telefoni i parë me HyperOS të instaluar.

Kompania mori këtë vendim sepse po bëhej gjithnjë e më e vështirë të lidhte qindra miliona pajisje në mbi 200 kategori produktesh (nga telefonat te pajisjet shtëpiake dhe makinat).

Kjo krijonte probleme me zhvillimin e unifikuar dhe përvojën e lidhjes mes pajisjeve. Për këtë arsye, Xiaomi nisi zhvillimin e një sistemi të ri që nga viti 2014, me synimin për të krijuar një platformë të integruar për të gjitha pajisjet. /Telegrafi/