Kunja të vendosura pa leje, bizneseve në Mitrovicë u jepet afat deri më 5 shkurt t'i largojnë ato
Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Mitrovicës së Jugut ka njoftuar se ka filluar aksionin për lirimin e hapësirave publike në zonën urbane të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni ka nisur më 05.02.2026 në ora 09:00 dhe përfshin largimin e të gjitha shtyllave (kunjave) metalike anti-parking, të cilat janë vendosur pa leje nga organet kompetente.
Drejtoria ka bërë të ditur se subjektet afariste dhe personat fizikë që i kanë vendosur këto pengesa pa leje, janë të obliguar që deri më 05.02.2026 t’i largojnë ato nga hapësirat publike.
"Në të kundërtën, ndaj tyre do të ndërmerren veprime ligjore dhe ndëshkuese", thuhet në njoftim.
Qëllimi i këtij aksioni është rikthimi i hapësirave publike dhe parkingjeve në shërbim të qytetarëve dhe banorëve të zonave përkatëse. /Telegrafi/


