Please enter at least 3 characters.

Kroacia dërgon 133 ushtarë në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it

Kroacia ka dërguar zyrtarisht 133 pjesëtarë të Forcave të Armatosura si pjesë e Kontingjentit të 45-të Kroat (HRVCON), në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Ceremonia u mbajt në kazermat “Kolonel Predrag Matanoviq” në Petrinjë, ku morën pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiç, si dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.

Kontingjenti i ri do të veprojë nën komandën e brigadierit Marijan Grđan.

Gjatë ceremonisë, Anushiç vlerësoi lart profesionalizmin e ushtarëve kroatë, duke theksuar se kontributi i tyre në misionet paqeruajtëse në Kosovë dhe vende të tjera ka fituar respektin e aleatëve të NATO-s.

“Çdo kontingjent kroat ka marrë vlerësime të larta dhe respekt të thellë nga shtetet anëtare të NATO-s”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo dëshmon profesionalizmin dhe përgatitjen e lartë të forcave kroate.

Ministri kroat e vendosi këtë angazhim edhe në kontekstin historik të ushtrisë së vendit, duke theksuar se ajo është ndërtuar mbi përvojën e Luftës për Atdheun dhe sot përfaqëson një forcë profesionale dhe të konsoliduar.

Kroacia, anëtare e NATO që nga viti 2009, ka mbajtur vazhdimisht praninë e saj në misionin e KFOR-it në Kosovë, përmes njësive të këmbësorisë, inteligjencës dhe ekipeve mjekësore, në mbështetje të stabilitetit dhe sigurisë në rajon.