Kosova pëson humbje të ngushtë nga Finlanda, e treta këto kualifikuese
Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave ka pësuar humbjen e tretë në fazën e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2026, pasi u mposht nga Finlanda me rezultat 23:21 në ndeshjen e zhvilluar në Vantaa.
“Dardanet” e nisën mirë takimin dhe pas nëntë minutash lojë kishin epërsi 4:3. Megjithatë, vendaset arritën të marrin kontrollin e lojës dhe pjesa e parë përfundoi me rezultatin 14:10 në favor të Finlandës.
Kosova tentoi të rikthehej në pjesën e dytë dhe në disa momente e ngushtoi diferencën, duke iu afruar në dy gola tetë minuta para përfundimit të takimit. Megjithatë, përkundër përpjekjeve, përfaqësuesja kosovare nuk arriti të barazojë apo të kalojë në epërsi, ndërsa ndeshja mbeti e hapur deri në aksionin e fundit.
Nga Federata e Hendbollit e Kosovës vlerësuan paraqitjen e ekipit, duke theksuar se përkundër humbjes, skuadra zhvilloi një ndeshje të fortë dhe të barabartë.
“Kombëtarja e Kosovës ka luajtur ndeshje të fortë e të barabartë me Finlandën. Megjithatë paraqitja e mirë nuk u shpërblye me pikë. Finlanda fitoi me dy gola dallim, 23:21. Ndeshja ishte e hapur deri në aksionin e fundit. Tani na pret një tjetër përballje e rëndësishme me Finlandën të dielën nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë”, thuhet në reagimin e federatës.
Kosova në këtë ndeshje u paraqit me shumë lojtare të reja. Ndërkohë, disa prej hendbollisteve që kanë qenë pjesë e rëndësishme e përfaqësueses në vitet e fundit nuk janë më pjesë e ekipit, si Leonora Demaj, Marigona Hajdari, Arlinda Hajdari, Fitore Aliu dhe Albina Rugova. Mirela Gjikokaj vazhdon të jetë aktive, por nuk luan më për Kosovën.
Kjo ishte humbja e tretë e Kosovës në këtë cikël kualifikues, pas disfatave të thella në tetor të vitit të kaluar ndaj Francës dhe Kroacisë. Kosova u mposht nga Franca me rezultat 43:12 në udhëtim, ndërsa nga Kroacia pësoi humbje 32:22 në shtëpi.
Ndeshja e radhës ndaj Finlandës zhvillohet të dielën, më 8 mars, nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. /Telegrafi/


