Please enter at least 3 characters.

Kosova dhe Belgjika nënshkruajnë Marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike në Çështjet Penale

Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Belgjikës nënshkruajnë Marrëveshjen dypalëshe për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Belgjikës, ka nënshkruar sot Marrëveshjen dypalëshe për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale me Ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden.

“Marrëveshja mes dy vendeve tona mike pritet ndër të tjera të rrisë ndjeshëm efikasitetin në luftimin e krimit transnacional, dhe njëkohësisht krijon bazën ligjore për themelimin e grupeve të përbashkëta hetimore dhe përfshin dispozita të avancuara për ngrirjen, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, shkëmbimin e provave dhe informatave, si dhe marrjen e dëshmive përmes videokonferencës, në përputhje me praktikat më moderne ndërkombëtare”, tha Gërvalla.

Përmes kësaj Marrëveshjeje, Gërvalla tregoi se do të përcaktohen qartë format dhe mekanizmat e ndihmës juridike në çështjet penale, duke përfshirë kushtet për ofrimin e ndihmës, bazat për refuzim, legjislacionin e zbatueshëm dhe procedurat që ndiqen në kërkimin dhe realizimin e kësaj ndihme.

Gërvalla falënderoi Ministren Verlinden për mikpritjen e ngrohtë dhe bisedën konstruktive e frytdhënëse, si dhe për angazhimin e përbashkët drejt thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës.