"Kontrollon perandori milionëshe", raportohet sërish për pasurinë e Fisnik Sylës
Biznismeni i njohur dhe një nga figurat më të përfolura të shoubizit shqiptar, Fisnik Syla (Fisi), ka dalë sot me një reagim publik, pasi – sipas tij – po keqpërdoret emri dhe identiteti i tij në rrjetet sociale.
Përmes një videoje të publikuar, Fisi u ka bërë thirrje ndjekësve të tij të tregojnë kujdes, duke sqaruar se persona të panjohur kanë hapur profile të rreme në emrin e tij, të cilat po përdoren për mashtrime dhe përfitime personale. Ai theksoi se në disa raste po përdoret edhe inteligjenca artificiale për të krijuar përmbajtje mashtruese, duke e bërë më të vështirë dallimin mes të vërtetës dhe falsifikimeve.
“Ky është i vetmi profil imi origjinal në TikTok. Çdo llogari tjetër që përdor emrin apo imazhin tim është e rreme, e pavërtetë. Ju lutem mos bini pre e mashtrimeve dhe raportojini ato”, është shprehur Syla në videon e publikuar.
Në pamjet e shpërndara, i njohuri – i cili është komentuar shpesh në media edhe për jetën private dhe si ish-bashkëshorti i këngëtares Fjolla Morina – shfaqet pranë shumave të mëdha parash, teksa paralajmëron se personat që po keqpërdorin identitetin e tij do të përballen me pasoja ligjore.
Reagimi i Fisit vjen në një kohë kur në botën e shoubizit po shtohen rastet me profile fallco, “deepfake” dhe përmbajtje të krijuara me AI, të cilat shfrytëzohen për të manipuluar publikun, për të marrë para apo për të dëmtuar imazhin e figurave publike.
Ai u kërkoi ndjekësve të mos besojnë mesazhe apo oferta që vijnë nga llogari të dyshimta dhe të raportojnë menjëherë çdo profil që përdor emrin apo fotografitë e tij.


