Please enter at least 3 characters.

Komunat kanë deri 50 milionë euro tatim të papaguar për pronën

Komunat nuk arkëtojnë tatimin në përputhje me ligjin dhe nuk sigurojnë administrim efikas të taksave dhe detyrimeve financiare nga subjektet. Këtë konstatim e ka dhënë Enti Shtetëror i Revizionit për punën e komunave në vitin 2025.

“Masat dhe politikat e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale dhe organeve kompetente nuk sigurojnë administrim efikas të tatimeve, taksave dhe kompensimeve lokale”, konstatohet në raportin e ESHR-së.

Revizorët kanë konstatuar se pjesa më e madhe e komunave e kryesisht ato rurale nuk kanë përditësuar çmimet e tatimeve, veprim që ka çuan në nënvlerësimin e bazës tatimore.

“Zbatohen çmime që prej vitesh nuk janë përditësuar dhe nuk e pasqyrojnë vlerën reale të tregut, gjë që rezulton me nënvlerësim të bazës tatimore dhe ulje të të hyrave për komunat”, konstatohet në raportin e ESHR-së.

Sipas shqyrtimit të bërë nga Enti i Revizionit, për 5 vjet komunat nuk kanë arritur të arkëtojnë të paktën 50 milion euro. Një pjesë e tyre është vjetërsuar dhe tatimi nuk mund të arkëtohet.

Me analizën e kryer të të dhënave për të ardhurat e realizuara mbi bazën e tatimeve, taksave dhe kompensimeve, revizorët kanë konstatuar se në përgjithësi komunat rurale, me përjashtim të komunave: Petrovec, Ilinden dhe Çuçer-Sandevë kanë kapacitet fiskal më të dobët në krahasim me komunat urbane.

Në 14 komuna ka rezultuar se janë akumuluar kërkesa për tatim mbi 856 milion denarë. Sipas të dhënave kapacitet të ulët fiskal kanë komunat: Kumanovë, Veles, Koçan, Kratovë, Haraçinë, Studeniçan dhe Kriva Pallankë. Kapacitet të mesëm fiskal kanë dëshmuar komunat: Tetovë, Saraj dhe Gazi Babë, ndërsa kapacitet të avancuar fiskal revizorët kanë detektuar në komunat: Çair, Aerodrom, Karposh dhe Qyteti i Shkupit.