Komuna e Prishtinës humb betejën ligjore në rastin e “Parkut të Aventurave” në Gërmi
Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) ka njoftuar se ka fituar përfundimisht betejën ligjore kundër Komunës së Prishtinës lidhur me lejen mjedisore për projektin “Parku i Aventurave” në Peizazhin e Mbrojtur të Parkut Gërmia.
Sipas njoftimit, Gjykata e Apelit me aktvendim të datës 18 maj 2026 e ka hedhur si të palejuar ankesën e Komunës së Prishtinës, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më herët kishte pranuar padinë e CSL-së dhe kishte anuluar lejen mjedisore për projektin.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në aktgjykimin e 16 prillit 2024, kishte konstatuar se vendimi i Komunës së Prishtinës i datës 26 gusht 2020 për dhënien e lejes mjedisore për projektin “Parku i Aventurave” ishte marrë në kundërshtim me bazën ligjore.
Në arsyetimin e saj, gjykata kishte vlerësuar se Komuna kishte aplikuar gabimisht bazën ligjore për lëshimin e lejes mjedisore.
Në vendim thuhet: “Komuna e Prishtinës gabimisht ka aplikuar bazën ligjore për lëshimin e lejes mjedisore, përkatësisht ka aplikuar Udhëzimin Administrativ për dhënien e Lejes Mjedisore Komunale, i cili nuk mbulon projektet me kapacitete më të mëdha, siç është projekti ‘Parku i Aventurave’.”
Gjykata po ashtu kishte vlerësuar se gjatë procesit të miratimit të projektit janë cenuar garancitë kushtetuese për pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrjen mjedisore.
Në vendim theksohet: “Komuna e Prishtinës gjatë vlerësimit dhe miratimit të projektit ka shkelur të drejtën e qytetarëve për pjesëmarrje në vendimet që ndikojnë në mjedisin jetësor ku ata jetojnë.”
Padia për këtë rast ishte dorëzuar më 12 shkurt 2021 nga CSL dhe organizata “Qytetarët Aktiv”, duke kërkuar anulimin e vendimit për lejen mjedisore të projektit në zonën e Parkut të Gërmisë.
CSL ka vlerësuar se vendimet gjyqësore konfirmojnë shkelje të procedurave ligjore dhe të drejtës së qytetarëve për pjesëmarrje në vendimmarrje mjedisore, duke theksuar se rasti paraqet edhe rrezik për degradimin e natyrës.
Në njoftim thuhet: “CSL vazhdon misionin e saj duke pranuar dhe dërguar në gjykatë raste që i shërbejnë interesit publik dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.”
Detajet e plota të rastit nga dorëzimi i padisë deri te vendimi i Gjykatës së Apelit janë publikuar në faqen zyrtare të CSL-së. /Telegrafi/


