Koincidenca e ngjarjeve
- Për çudi, incidentet si në Mitrovicë ndodhin gjithmonë para ngjarjeve të mëdha që kanë të bëjnë me Kosovën -
Ngjarjet e fundit që ndodhën në Mitrovicë, me ç’rast pati të vrarë dhe të plagosur, na lënë të kuptojmë se siguria e qytetarëve në këtë pjesë të Kosovës është ende larg të qenit realitet. Këto ngjarje edhe pse s’mund t’i pranojmë, kanë marrë karakter politik, duke pasur parasysh Mitrovicën si një vatër të ashtuquajtur ende “të nxehtë”, ku serbët e këtij qyteti nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Beogradit nuk i kanë pranuar ende dhe duket se nuk do t’i pranojnë në një kohë të afërt institucionet e Republikës së Kosovës.
Për çudi ngjarjet të tilla të ngjashme, kanë ndodhur dhe po ndodhin në momente kyçe për Kosovën, gjithmonë. Ngjarje të tilla kanë ndodhur në kohën e standardeve të shumë përfolura, mbikëqyrës i të cilave ishte Kai Aide. Ngjarje të tilla ndodhën edhe në kohën e negociatave Kosovë-Serbi, ndodhën edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shpeshherë edhe para mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërkaq që po ndodhin edhe tash, pra në kohën kur GJND-ja duhet të prononcohet rreth çështjes së Kosovës.
E tëra (ngjarjet e fundit) filloi menjëherë pas shtrirjes së autoritetit të institucioneve të Kosovës edhe në Veri. Bazuar në këtë, atëherë mund të bëhet një analizë shumë e thjeshtë, ose ne shqiptarët jemi aq të marrë saqë të veprojmë kundër institucioneve tona, ose serbët që janë shumicë në veri nuk duan t’ia shohin surratin institucioneve kosovare, ose dikush nga faktori ndërkombëtar është duke bërë hile, për të mos thënë shantazh.
Sido që të jetë, pasi që ajo është punë me të cilën duhet të merren seriozisht institucionet e sigurisë dhe drejtësisë (kosovare e ndërkombëtare) shumë brengosës është fakti se atje po cenohet siguria kolektive dhe po vriten njerëz, e kjo nuk duhet të tolerohet assesi nga organet e sigurisë. Aq më tepër është paradoksal fakti që në Kosovë me një numër aq të madh të forcave të sigurisë të mos parandalohen, apo zbardhen rastet e tilla, tashmë 11-vjet me radhë.
Qytetarët e Kosovës (pa marrë parasysh përkatësinë etnike) tashmë janë lodhur e stërlodhur me raste të tilla. Ata dëshirojnë të udhëtojnë lirisht nëpër çdo skutë të Kosovës pa frikë dhe për këtë udhëheqësit e organeve të sigurisë duhet të punojnë më shumë për të siguruar lëvizjen e lirë. Policia e Kosovës dhe e EULEX-it duhet të jenë më vigjilente. Pikërisht tash është momenti që Policia e Kosovës dhe e EULEX-it të bëjnë paraqitje spektakulare nëpër medie duke kapur kriminelët që vrasin e plagosin qytetarë të pafajshëm, apo edhe përfaqësues të institucioneve, siç është rasti më i fundit.
Në anën tjetër, qytetarët serbë në Kosovë në përgjithësi dhe ata të veriut në veçanti, duhet ta kthejnë kokën kah institucionet kosovare, sepse vetëm nëpërmjet tyre, pra nëpërmjet integrimit, është e ardhmja e tyre në Kosovë. Këtë gjë e kanë pranuar tashmë edhe një numër shumë i madh i politikanëve serbë në Serbi e Kosovë me ide progresive dhe pa ngarkesa mesjetare nacionale.
Shtrohet pyetja çfarë u ra keq qytetarëve të Shtërpcës që kanë pranuar realitetin në Kosovë? Përgjigjja është e thjeshtë - asgjë. Atyre vetëm sa u ra mirë e më mirë, sepse si çështje kryesore po jetojmë pa frikë, siguria është në nivel, kompetencat të gjitha i kanë marrë, bile edhe më mirë se me Serbinë. Serbët e Shtërpcës janë bërë zot të shtëpisë së tyre, vendosin vetë për vete dhe donacionet për ta s’kanë të ndalur. Një gjë të tillë dihet ta bëjnë edhe serbët e veriut. Beogradit duhet t’i ndalohet njëherë e përgjithmonë ndikimi regresiv në Kosovë. Deri më tash politika beogradase vetëm sa ka shkaktuar probleme në kurriz të popullit e për përfitime të veta personale. Kjo është thënë qartë disa herë edhe nga vetë politikanët progresivë serbë.
Në këtë aspekt institucionet kosovare dhe ato ndërkombëtare duhet të punojnë më shumë. Ka kaluar koha kur vetmë me deklarata shtypi të dënohen incidentet. Pozita, opozita e ndërkombëtarët në Kosovë, duket se problemin më të madh e kanë se si t’i zgjedhin fjalët për të dënuar incidentet e tilla, e shumë pak po bëjnë për zbardhjen e tyre. Tek e fundit s’ka nevojë fare të dënohet një incident, por të zbardhet menjëherë, fajtorët të nxirren para drejtësisë, kushdo qofshin ata.
Sa i përket politikës urrejtje nxitëse të Beogradit, udhëheqësve të pushtetit në Beograd duhet t’u bëhet e qartë një herë e përgjithmonë, siç ka thënë bacë Adem Demaçi, “zogu i dalë njëherë nga veza, nuk do të kthehet kurrë më në të”.
(Autori është gazetar në “Zëri” dhe koordinator i OJQ-së “Sharri” në Shtërpcë)


