Please enter at least 3 characters.

“Kjo është bullizëm” - Mourinho reagon ashpër ndaj trajtimit të Vinicius Jr në La Liga

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si Vinicius Jr po trajtohet në ndeshjet e La Ligës, duke e cilësuar situatën me të cilën përballet sulmuesi brazilian si “bullizëm”.

Pas fitores 2-1 të Real Madridit ndaj Espanyolit, Mourinho u shpreh se Vinicius nuk është pa të meta, por theksoi se ndërhyrjet dhe sjellja ndaj tij kanë kaluar çdo kufi.

“Vinicius? Ai nuk është një shenjtor, por ajo që po i bëjnë është e tepërt. E godasin dhe kjo është shumë zhgënjyese. Ai duhet të ketë një kontroll të madh emocional. Është një situatë e vështirë. Kjo është bullizëm”, deklaroi Mourinho.

Trajneri portugez nënvizoi se Vinicius duhet të tregojë qetësi dhe vetëpërmbajtje përballë presionit të madh që po përjeton në fushë.

Sipas Mourinhos, mënyra se si kundërshtarët përballen me brazilianin shpesh e vendos atë në situata të vështira dhe krijon tension të panevojshëm gjatë ndeshjeve.

Mourinho vlerësoi gjithashtu kontributin e lojtarëve të stolit, të cilët sipas tij luajtën një rol të rëndësishëm në sigurimin e tre pikëve.

“Lojtarët nga stoli mund të të ndihmojnë gjithmonë të fitosh ndeshjet. Këto pikë janë shumë të rëndësishme”, përfundoi Mourinho.

Fitorja ndaj Espanyolit i dha Real Madridit tre pikë të rëndësishme, ndërsa reagimi i Mourinhos pritet të rikthejë në qendër të vëmendjes diskutimet për mënyrën se si Vinicius Jr përballet me ndërhyrjet, provokimet dhe presionin gjatë ndeshjeve të kampionatit spanjoll. /Telegrafi/