Please enter at least 3 characters.

​Këshilli Prokurorial voton pro avancimit të Armend Zenelajt në Prokurorinë Speciale

Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), kanë diskutuar e më pas miratuar avancimin e prokurorit Armend Zenelaj në Prokurorinë Speciale.

Kujtojmë se Agjencioni për Parandalimin e Korrupsionit ishte duke hetuar kandidatët për këtë avancim nën dyshimin se njëri nga ta kishte konflikt interesi, por që rezultoi që kandidati Armend Zenelaj nuk ishte i përfshirë në konflikt interesi.

Megjithatë, gjatë procesit të vlerësimit, prokurorja Fitore Sadikaj, njëkohësisht edhe kundër kandidatja për avancim, ka kundërshtuar avancimin e Zenelajt, duke argumentuar se testimi i zhvilluar nuk ka qenë i drejtë dhe se ka pasur mungesë objektiviteti në vlerësimin e tij.

Ajo gjithashtu ka theksuar se ka pasur shkelje të rregulloreve gjatë këtij procesi. Përkundër këtij kundërshtimi, Këshilli ka refuzuar ankesën dhe ka vazhduar me miratimin e propozimit.

“Ka paraqitur kundërshtim ndaj raportit të komisionit për transfer dhe avancim për shkak të mos aplikim të drejtë të kritereve dhe vlerësim të gabuar të pikëve në procesin e poentimit. Prokurorja vlerëson se pikët me 73.66 pikë, e konsideron jo-real dhe jo-objektiv dhe në kundërshtim me rregulloren për këto arsye. Në intervistë nga 25 pikët e mundshme, është vlerësuar me 18.33, për çka vlerëson se në intervistë është përgjigjur në mënyrë të saktë dhe profesionale, pa asnjë gabim praktik apo ligjor. Ajo thotë se përgjigjet që i ka dhënë i kanë përmbushur standardet e qartësisë dhe profesionalizmit, aftësisë analitike dhe njohjes së legjislacionit të cilat janë kritere vlerësuese. Tutje thotë se mungesa e një arsyetimi të detajuar për pikët e dhëna shton dyshime për mungesë objektiviteti në vlerësim”, tha ai.

Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës ka qenë edhe diskutimi për vlerësimin paraprak të përfaqësimit shumetnik dhe gjinor, i cili ka ndikuar në zgjedhjen e anëtarit të ri prokuror në KPK. Pikë kjo e cila u aprovua pa diskutim dhe me shumicë votash.

Ky proces është vlerësuar si një hap i rëndësishëm për të siguruar përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë në institucione të drejtësisë. /Telegrafi/