Please enter at least 3 characters.

KESCO kërkon rritje 21.3% të çmimit të energjisë, Kurti thotë se qytetarët “pëlqejnë të kenë shumë nxehtë”

Kompania furnizuese me energji elektrike KESCO ka kërkuar që çmimi i energjisë për vitin 2026 të rritet për 21.3 për qind.

Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila do të vendosë nëse do ta aprovojë apo jo këtë propozim.

Sipas dokumenteve të aplikimit për të hyrat maksimale, pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.

Për krahasim, të hyrat e lejuara për vitin 2025 kanë qenë rreth 435 milionë euro. Nëse rritja aprovohet, kjo do të jetë hera e tretë në katër vitet e fundit që çmimi i energjisë elektrike rritet.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite të enjten në Qendrën e Inovacionit të Kosovës, derisa ishte duke folur për kursimin e energjisë, tha se qytetarët pëlqejnë të kenë temperatura të larta brenda apartamenteve.

“Duhet me menaxhu faktin që po ngrohemi shumë me rrymë. Përveç që ngrohemi me rrymë, ne ngrohemi shumë me rrymë. Temperaturat nëpër dhoma i kemi dukshëm më të larta se sa që është normale. Kena qejf nxehtë”, tha Kurti.

Ai gjithashtu shtoi se menaxhimi i konsumit, sidomos për ngrohjen, është i rëndësishëm dhe se rritja ekonomike do të kërkojë përdorim më të madh të energjisë./Telegrafi.