Kërkesa e kampioneve për paga vlerësohet luks nga klubi
Kërkesa e parë është e parealizueshme për klubin, kurse e dyta mund të bëhet dikur më vonë. Situatë e njëjtë është edhe në klubet e tjera të femrave. Federata thotë se me zor po e mban gjallë këtë ligë
Krerët e klubit Prishtina krenohen kur bëhet fjalë për pagat që ndajnë për futbollistët e tyre, jo për lartësinë e tyre sa për korrektësinë.
Por ndryshe qëndron puna me ekipin e femrave. Atyre nuk u është dhënë as edhe një cent i vetëm si shpërblim për titullin dhe Kupën e fituar në edicionin e shkuar, 2014/2015.
E tëra që bënë krerët e klubit më të madh në vend, ishte dalja publike për t'u krenuar me sukseset që arriti ekipi i femrave. Ky nuk ishte edicioni i vetëm që futbollistet e Prishtinës nuk marrin paga nga klubi i tyre. Njëjtë, pak a shumë qëndrojnë edhe shtatë klubet e tjera të Ligës së Femrave të futbollit kosovar.
Bordi i klubit Prishtina të martën pati një mbledhje, në të cilën u diskutua edhe kërkesa e vashave kampione. Ato i kërkuan bordit të klubit që të kenë status të njëjtë me atë që kanë meshkujt e kësaj skuadre - pra të futen në listën e pagave. Kërkesë tjetër ishte që atyre t'u bëhet një tretman më i veçantë si femra që janë. Për shembull, t'iu bëhet një zhveshtore e veçantë.
"I kemi bërë ato kërkesa dhe po presim të na realizohen. Jemi të diskriminuara tash e sa vite. Edhe ne dëshirojmë që djersa jonë të paguhet", ka thënë një nga futbollistet e klubit Prishtina, që ka insistuar të flasë në kushte anonimiteti.


