Please enter at least 3 characters.

Kërcënoi me vrasje djalin e Trumpit, arrestohet 39-vjeçari në New York

Një 39-vjeçar nga Rochester, New York, është arrestuar nga autoritetet federale pasi akuzohet se kërcënoi me vrasje Donald Trump Jr., djalin e madh të presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas prokurorëve federalë, James Gerald Eckert Jr. përdori emrin e tij të vërtetë për të publikuar një seri mesazhesh kërcënuese në bisedën e drejtpërdrejtë të podcastit “Triggered with Donald Trump Jr.”.

Në një prej tyre ai shkruante: “Do të të vras”, ndërsa në të tjera përdorte gjuhë të rëndë dhe kërcënuese.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, kërcënimet u zbuluan më 18 qershor nga një agjent i Shërbimit Sekret të SHBA-së, i cili ishte në detyrë në rezidencën e Donald Trump Jr.

Sipas hetimeve, 39-vjeçari publikoi gjithashtu një video ku vazhdoi të lëshonte kërcënime ndaj Trump Jr.

Një nga mesazhet e tij ishte: “Je i vdekur, mbaroi. Do ta vras përsëri Trump Jr.”.

Autoritetet federale e kanë vënë në pranga dhe ai tashmë përballet me akuza për kërcënime ndaj një personi të mbrojtur federalisht. /Telegrafi/