Please enter at least 3 characters.

Keqpërdorimet në BKS - hetohen edhe 21 persona të tjerë, ngrihen 35 prona dhe llogari bankare

Prokuroria Themelore në Prizren ka zgjeruar hetimet në rastin e dyshimeve për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), ndërsa numri i personave nën hetim ka arritur në 69.

Sipas Prokurorisë, hetimet janë zgjeruar ndaj 21 punëtorëve të BKS-së, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se të pandehurit, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe përfitimin e shumave të parave pa mbulesë.

Sipas Prokurorisë, shumat e dyshuara variojnë nga 2 mijë deri në 53 mijë euro për person, ndërsa dëmi shtesë ndaj BKS-së vlerësohet në rreth 200 mijë euro.

Në kuadër të hetimit financiar, Prokuroria ka bërë të ditur se sot janë sekuestruar dhe ngrirë 35 prona, përfshirë parcela kadastrale, njësi banesore dhe garazhe.

Prona e ngrirë lidhet me tre të pandehurit kryesorë, ndaj të cilëve, sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi për përfshirje në veprimet që kanë shkaktuar dëm financiar ndaj BKS-së.

Po ashtu, është urdhëruar ngrirja e 21 llogarive bankare të personave të dyshuar.

Të 21 personat e përfshirë në zgjerimin e hetimeve janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë nga zyrtarët e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me prokurorët e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Prokuroria ka bërë të ditur se në fazën fillestare të hetimeve dëmi ndaj BKS-së ishte vlerësuar në rreth 1.043 milionë euro, ndërsa me identifikimin e veprimeve të reja të dyshuara, dëmi është rritur edhe për rreth 200 mijë euro.

Hetimet për rastin do të vazhdojnë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe njësitë përkatëse financiare, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.

Prokuroria ka theksuar se gjatë procedurës respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë dhe të drejtat e të gjithë të pandehurve. /Telegrafi/