Please enter at least 3 characters.

Këngëtari D4vd deklarohet i pafajshëm për vrasjen e një 14-vjeçareje, rasti trondit opinionin publik

Këngëtari amerikan D4vd, emri i vërtetë i të cilit është David Anthony Burke, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për vrasje të shkallës së parë lidhur me vdekjen e 14-vjeçares Celeste Rivas Hernandez, e cila u zhduk vitin e kaluar.

21-vjeçari u paraqit për herë të parë në gjykatë pas arrestimit të tij javën e kaluar, ndërsa avokatët e tij dorëzuan deklaratën e pafajësisë në emër të tij.

Ata theksuan se besojnë që provat aktuale do të tregojnë se David nuk e vrau Celeste-n dhe shtuan se do ta mbrojnë me forcë pafajësinë e tij, shkruan BBC.

Screenshot/BBC

Sipas prokurorisë, vajza kishte shkuar në shtëpinë e Burke në Hollywood Hills më 23 prill 2025 dhe që nga ajo ditë nuk ishte parë më.

Mbetjet e saj u gjetën më 8 shtator 2025 në bagazhin e përparmë të një makine Tesla të regjistruar në emër të këngëtarit, çka çoi në nisjen e hetimeve.

Prokurori i qarkut të Los Angeles njoftoi tre akuza kryesore ndaj tij: vrasje e shkallës së parë me rrethana të veçanta, vrasje për përfitim financiar dhe vrasje e një dëshmitari në një hetim.

Sipas autoriteteve, dyshohet se adoleshentja ishte dëshmitare në një hetim ndaj tij, ndërsa në çështje përfshihen edhe akuza për akte seksuale me të mitur dhe gjymtim trupi. Nuk përjashtohet mundësia që prokuroria të kërkojë dënimin me vdekje.

Policia ka bërë të ditur se hetimi ka qenë kompleks për shkak të gjendjes së mbetjeve mortore dhe kohës së gjatë që kishte kaluar nga zhdukja deri në zbulimin e trupit. Ndërkohë, familja e vajzës ka deklaruar se është e vendosur të sigurojë që kujtimi i saj të nderohet dhe drejtësia të vihet në vend.

D4vd, i njohur për këngë si “Here With Me” dhe “Romantic Homicide”, ishte në turne kur u zbuluan mbetjet e vajzës, por anuloi menjëherë aktivitetet dhe mbetet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht ndërsa procesi gjyqësor vazhdon. /Telegrafi/