Please enter at least 3 characters.

Kastrioti shpallet kampion i Kosovës në hendboll pas 15 vjetësh

Kastrioti është kampion i Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve. Skuadra nga Ferizaj e mbylli serinë finale të plejofit ndaj Rahovecit me rezultat të përgjithshëm 3:1, duke e fituar edhe ndeshjen vendimtare të dielën mbrëma në Rahovec, pas një dueli të fortë dhe dramatik, me rezultat 25:23.

Ky titull vjen pas një pritjeje të gjatë për ferizajasit, të cilët e fitojnë kampionatin pas 15 vjetësh, ndërsa tani numërojnë gjithsej gjashtë tituj kampioni. Rahoveci, në anën tjetër, mbetet me dy titujt e fundit të fituar në edicionet e kaluara.

Hero i finales për Kastriotin ishte portieri Wadi Chebbi, i cili edhe kësaj radhe u shndërrua në “mur” me pritje të shumta, përfshirë një ndërhyrje vendimtare në minutën e fundit, duke i dhënë skuadrës së tij avantazhin në momentet më të ndjeshme të ndeshjes.

Në sulm, më efikasi te Kastrioti ishte Yassine Henahen me shtatë gola, ndërsa Felippe Teixeira shënoi pesë. Nga tre gola realizuan Alban Haziri, Festim Mustafa dhe Albin Ahlin.

Edhe Rahoveci pati paraqitje të fortë, veçanërisht portieri Arti Luzha, i cili u dallua me pritje të shumta, por pa arritur ta ndalë festën e mysafirëve. Më të dalluarit në realizim te vendasit ishin Egzon Gjuka dhe Guilherme Fernandes me nga pesë gola, ndërsa Mali Luzha shtoi katër.

Kastrioti e kontrolloi pjesën më të madhe të takimit, duke qenë në epërsi pothuajse gjatë gjithë pjesës së parë, me avantazh që shkoi deri në tre gola. I njëjti ritëm vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku ferizajasit u shkëputën deri në 21:17.

Megjithatë, “vreshtarët” nuk u dorëzuan dhe e rikthyen ndeshjen në tension maksimal. Pas rezultatit 22:20 për Kastriotin, Mali Luzha shënoi dy herë rresht dhe barazoi në 22:22 në minutën e 57-të.

Minutat e fundit sollën dramën vendimtare: Henahen shënoi për 23:22, ndërsa Ardit Tafilaj u përgjigj për 23:23. Më pas, sërish Henahen realizoi për 24:23, para se Chebbi të bënte një pritje kyçe që i dha Kastriotit kontrollin e aksionit final. Në sekondat e fundit, Alban Haziri e vulosi fitoren me golin për 25:23, duke nisur festën e madhe të ferizajasve.


Kastrioti e mbyll sezonin me sukses të dyfishtë, pasi këtë edicion e ka fituar edhe Kupën e Kosovës. /Telegrafi/