Please enter at least 3 characters.

Kafshë të helmuara në Llapllasellë të Graçanicës – organizatat kërkojnë hetim urgjent dhe përgjegjësi institucionale

Një incident shqetësues është raportuar në fshatin Llapllasellë të komunës së Graçanicës, ku disa kafshë janë gjetur të mbytura si pasojë e dyshuar e helmimit. Rasti ka ngritur shqetësim të madh te banorët dhe aktivistët që prej kohësh kujdesen për qentë dhe macet endacake në këtë zonë.

Sipas organizatës "Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve",që ka bërë denoncimin, “ky akt mizorie ka zhbërë gjithë përpjekjet e komunitetit për t’i ushqyer dhe mbajtur të sigurta këto kafshë”. Organizata thekson se dhuna e tillë e qëllimshme ndaj kafshëve është alarmante dhe kërkon një hetim të menjëhershëm, duke shtuar se autorët duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.

“Ky është një krim që përfaqëson rrezik edhe për komunitetin e gjerë. Dhuna ndaj kafshëve nuk është çështje e izoluar”, thuhet në reagim, ku përmendet gjithashtu se rasti është raportuar zyrtarisht në Polici dhe se vepra përbën shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Organizata u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin masa urgjente për identifikimin e autorëve, ndërsa apelon qytetarët t’i shkruajnë Komunës së Graçanicës dhe komunave të tjera për zbatimin e detyrimeve ligjore lidhur me menaxhimin human të popullsisë së qenve. Në reagim theksohet nevoja për edukim publik, përgjegjësi të pronarëve, sterilizim të kafshëve në rrugë dhe mbrojtje të kafshëve që jetojnë në komunitet.

Organizata ka bërë të ditur se sapo të sigurohen kontaktet e zyrtarëve përgjegjës të Komunës së Graçanicës, do të ndahen me publikun për të lehtësuar komunikimin dhe kërkesën për parandalimin e rasteve të tilla mizore në të ardhmen. /Telegrafi/