‘Kafeneja jonë’ rikthehet, por jo në formatin që prisnin fansat
Prej javësh në rrjet po qarkullojnë zëra për rikthimin e serialit të njohur “Kafeneja jonë”, një prej produksioneve më të dashura televizive që vazhdon të ndiqet me të njëjtin interes edhe pas më shumë se një dekade nga përfundimi.
Diskutimet nisën pas intervistës së producentit dhe aktorit Shkumbin Istrefi në një podcast. Ai la të kuptohej se projekti mund të rikthehej.
Tashmë, sipas Prive by Liberta Spahiu, nuk bëhet fjalë vetëm për një ide, pasi puna për skenarin ka nisur dhe projekti po zhvillohet si një film me metrazh të gjatë.
Burimet bëjnë të ditur se synimi është që pjesa më e madhe e kastit origjinal të ribashkohet, edhe pse mungesa e aktorëve që nuk jetojnë më do të ndihet.
Paralelisht me skenarin, po punohet edhe për sigurimin e financimit, ndërsa nëse gjithçka ecën sipas planit, premiera e filmit pritet të mbahet vitin e ardhshëm. /Telegrafi/


