Please enter at least 3 characters.

Joao Cancelo po rikthehet në Evropë dhe atë te ish-skuadra e tij

E ardhmja e Joao Cancelos po merr formë në tregun evropian, me mbrojtësin portugez që pritet të largohet nga Al-Hilal pas një aventure të shkurtër në Arabinë Saudite.

Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Interi ka nisur bisedime të drejtpërdrejta si me klubin saudit, ashtu edhe me Jorge Mendes, agjentin e lojtarit, për të eksploruar mundësinë e një rikthimi të tij në Serie A.

Cancelo shihet si një profil ideal për skemat e Interit, ku ka luajtur më parë dhe ku la përshtypje pozitive gjatë periudhës së tij të parë në “San Siro”. Rikthimi në një ambient të njohur dhe në një kampionat elitar evropian konsiderohet si një opsion shumë tërheqës për lojtarin.

Në të njëjtën kohë, Barcelona është vënë në dijeni për situatën e Cancelos, por çdo lëvizje e mundshme nga klubi Blaugrana mbetet e kushtëzuar nga rregullat e Fair Play Financiar. Për momentin, nga Katalonja nuk ka hapa konkretë, pavarësisht interesimit.

Në garë është futur edhe Juventusi, i cili ka kontaktuar herët Jorge Mendes për të mësuar rreth kushteve kontraktuale dhe parametrave financiarë të një transferimi të mundshëm, duke e mbajtur kështu hapur opsionin për një përforcim në krahët e mbrojtjes.

Cancelo, i cili ka përvojë të madhe në elitën evropiane me skuadra si Manchester City, Bayern Munich, Barcelona, Juventus dhe Interi, mbetet një nga emrat më të lakmuar të merkatos aktuale. Ndërkohë, Al-Hilal po shqyrton alternativat për të vendosur përfundimisht mbi të ardhmen e lojtarit, ndërsa klubet evropiane presin zhvillimet e radhës. /Telegrafi/