Jashtë opozitarët “rrethojnë” Kuvendin, sot deputetët shqiptarë marrin vendim për ‘imunitetin’ e Ballukut
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të enjte në seancë plenare, ku në fokus pritet të jetë votimi për kërkesën e SPAK lidhur me autorizimin për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku.
Seanca është parashikuar të nisë në orën 10:00, ndërsa paralelisht opozita ka paralajmëruar protestë para objektit të Parlamentit, raporton euronews.al
Mbrëmjen e djeshme Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla i ka dërguar mesazh deputetëve të mazhorancës për të qenë prezentë në seancë, duke vendosur theksin se pjesëmarrja e tyre është një tregues i rëndësishëm.
Në seancë do të shqyrtohen dy raportet e përgatitura nga shumica dhe opozita për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, e cila ndodhet në Kuvend që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar.
Palët politike kanë qëndrime të kundërta për këtë çështje.
Socialistët argumentojnë se Balluku, e cila nuk mban më funksione ekzekutive në qeveri, nuk përbën rrezik për prishjen e provave apo për arratisje dhe se hetimet nga SPAK mund të vijojnë pa nevojën e masës së arrestit me burg.
Për të rrëzuar kërkesën e SPAK, mazhorancës i mjaftojnë 71 vota në Parlament.
Sipas demokratëve, pavarësisht largimit nga postet ministrore, ekziston rreziku që ajo të ndikojë te dëshmitarët ose të ndërhyjë në provat e hetimit.
Raporti i shumicës do të prezantohet në seancë nga deputeti Ulsi Manja, ndërsa raporti i opozitës nga Oerd Bylykbashi, pasi Gazment Bardhi është përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit.
Mbetet ende e paqartë nëse vetë Balluku do të jetë e pranishme në sallë dhe nëse do të marrë fjalën përpara deputetëve gjatë diskutimeve.
Ndërkohë, për shkak të protestës së paralajmëruar nga opozita, Policia e Shtetit ka marrë masa sigurie dhe ka rrethuar perimetrin e Parlamentit me barriera metalike.
Para nisjes së seancës plenare, në orën 09:00, Partia Socialiste do të zhvillojë një mbledhje të grupit parlamentar për të diskutuar qëndrimin përfundimtar lidhur me votimin.
Në rendin e ditës së seancës janë përfshirë edhe disa çështje të tjera, mes tyre projektligje për marrëveshje ndërkombëtare dhe ndryshime në përbërjen e komisioneve parlamentare. Sipas burimeve , pritet që ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropali të propozohet për Komisionin e Sigurisë, ndërsa ish-ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu për Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.


