Please enter at least 3 characters.

Inteligjenca artificiale trondit arsimin - Suedia dhe Danimarka marrin masat e para në shkolla

Përdorimi gjithnjë e më i përhapur i mjeteve të inteligjencës artificiale (AI) po sjell ndryshime të mëdha në sistemet arsimore në mbarë botën, duke i detyruar qeveritë të rishikojnë mënyrën se si duhet të menaxhohet kjo teknologji në shkolla.

Një nga rastet më shqetësuese vjen nga Suedia, ku një studim i fundit ka zbuluar një rritje të ndjeshme të rasteve të keqpërdorimit të inteligjencës artificiale nga nxënësit. Sipas të dhënave të publikuara, numri i nxënësve të pezulluar ose të paralajmëruar për përdorim të paautorizuar të mjeteve të AI-së është rritur me 688 për qind në periudhën 2023–2025.

Përballë kësaj situate, qeveria suedeze ka kërkuar një rishikim zyrtar për të analizuar mënyrën se si shkollat po përballen me mashtrimin akademik të mundësuar nga teknologjia e re, shkruan theguardian.

Edhe Danimarka ka ndërmarrë hapa të rinj për të kufizuar përdorimin e pakontrolluar të chatbotëve me inteligjencë artificiale nga nxënësit e shkollave të mesme. Ministri danez i Arsimit, Magnus Heunicke, ka paralajmëruar se nevojiten masa të menjëhershme për të mbrojtur besueshmërinë e procesit arsimor.

Sipas rregullave të reja, nxënësit nga mosha 16 deri në 19 vjeç do të duhet t’i mbrojnë gojarisht punimet e tyre të shkruara, në mënyrë që të dëshmojnë se janë autorët e vërtetë të tyre dhe se e kuptojnë përmbajtjen e punës.

Gjithashtu, shkollat do të duhet të përdorin sisteme monitorimi të ekraneve dhe masa teknike mbrojtëse gjatë provimeve me shkrim për të kufizuar qasjen në platformat e inteligjencës artificiale.

Megjithatë, Danimarka nuk synon ta përjashtojë plotësisht teknologjinë nga arsimi. Autoritetet kanë zhvilluar edhe projekte pilot ku nxënësve u është lejuar përdorimi i mjeteve të IA-së gjatë përgatitjes për pjesën gojore të provimeve të gjuhës angleze.

Debati për rolin e inteligjencës artificiale në arsim po zgjerohet në shumë vende të botës, ndërsa institucionet përpiqen të gjejnë një ekuilibër mes përfitimeve të teknologjisë dhe ruajtjes së integritetit akademik. /Telegrafi/