Please enter at least 3 characters.

Ibrahimovic emocionohet me suksesin historik të Bosnjës

Legjenda e futbollit, Zlatan Ibrahimović, nuk e fshehu emocionin pas kualifikimit historik të Bosnjës dhe Hercegovinës në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026.

Bosnja siguroi kalimin tutje pas fitores 3-1 ndaj Katarit, duke arritur suksesin më të madh në historinë e saj në një Kampionat Botëror. Pas ndeshjes, Ibrahimović foli me krenari për paraqitjen e “Dragojve” dhe për atmosferën e krijuar nga tifozët boshnjakë.

Duke folur në studion e FOX, ish-sulmuesi suedez theksoi se futbolli ka fuqinë të bashkojë njerëzit, veçanërisht një popull që ka kaluar shumë vështirësi gjatë historisë.

“Kjo është arsyeja pse luhet futbolli – për të bashkuar njerëzit. Sidomos për Bosnjën dhe Hercegovinën, një vend që ka vuajtur shumë. Më pushtojnë emocionet kur shoh gjithë këtë lumturi”, tha Ibrahimović.

Ibrahimović pranoi se kualifikimi i Bosnjës kishte një domethënie të veçantë për të, për shkak të lidhjeve familjare me vendin.

“U rrëmqetha, sepse aty janë rrënjët e babait tim. Kur sheh 70 mijë tifozë duke kënduar, është diçka e jashtëzakonshme”, u shpreh ai.

Sipas tij, tifozët boshnjakë kanë qenë një nga historitë më të bukura të këtij Botërori.

“Jam i lumtur dhe krenar për ta. Momenti më i veçantë ishte kur dëgjova tifozët duke kënduar. E gjithë kjo është shumë emocionuese dhe e vështirë për t’u përshkruar me fjalë”, shtoi ish-futbollisti.


Pas kualifikimit historik, Bosnja dhe Hercegovina do të luajë në raundin e 16-tave të Kupës së Botës më 2 korrik në San Francisko, ku do të përballet me përfaqësuesen vendase të Shteteve të Bashkuara. /Telegrafi/