Ibra i ashpër: Mourinho të hynte në kokë, Guardiola kishte problemet e veta
Në Festivalin e Trentos, organizuar nga Gazzetta dello Sport, Zlatan Ibrahimovic ishte i ftuari special dhe ndau disa histori të rralla nga karriera e tij madhështore.
Ish-sulmuesi, sot këshilltar i lartë te Milan nën pronësinë e RedBird, foli për marrëdhëniet e tij me trajnerët më të njohur dhe për legjendat që kanë shënjuar futbollin botëror.
Sa i përket periudhës së tij te Interi, suedezi nuk mund ta harrojë Jose Mourinhon.
“Ata ndryshuan futbollin. I pata të dy (Mourinhon dhe Guardiolën), u rrita me ta. Të dy bënë histori dhe më deshën në skuadrat e tyre. Janë persona të ndryshëm; Mourinho ishte gjithë mendësi, të hynte në kokë. Njëri beson në një stil futbolli, tjetri në një tjetër. A e kam falur Guardiolën? Ai kishte problemet e veta, jo unë. U takuam në New York dhe ishte i lumtur të më shihte”.
Ibra dha edhe renditjen e tij personale të tre lojtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, duke vënë në krye një ish-yll të Interit.
“Ronaldo ‘Fenomeni’ është vetë futbolli, më pas Maradona – një lojtar i vërtetë, që luante me ndjenjë. Në vend të tretë, Messi”.
Në mesin e ish-shokëve të tij te Interi, Ibrahimovic përmendi brazilianin Maxwell, me të cilin e lidh një miqësi të gjatë.
“Maxwell është miku im. Luajtëm bashkë, kishim të njëjtin agjent. U rritëm së bashku – Ajax, Inter, Barcelona, PSG. Si lojtar ishte ndër më elegantët. Flasim shpesh”.
Kur u pyet për kundërshtarët më të vështirë që ka hasur, Ibra përmendi disa nga mbrojtësit më të fortë të Serie A-së.
“Maldini dhe Nesta ishin shumë korrektë, ashtu si Cordoba, Samuel dhe Chiellini".
Zlatan Ibrahimovic mbetet një nga figurat më të rëndësishme të historisë së Interit, me tre tituj të Serie A – dy nën drejtimin e Robert Mancinit dhe një me Mourinhon në stol./Telegrafi/


