I mituri i zënë nën mur në Han të Elezit, mjekët vendosin për operim
16 vjeçari i cili kishte mbetur i bllokuar nën rrënoja në veturë, të premten fshatin Meliq të Hanit të Elezit, si pasojë e shembjes së murit mbi veturë, sipas informatave ka lëndime të rënda trupore dhe duhet të ketë trajtim kirurgjik.
Këtë ka bërë të ditur për KosovaPress, mjeku kujdestar në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, Sami Delijaj që kishte pranuar pacientin nga Emergjenca.
Delijaj ka thënë se i njëjti është në observim të mëtejmë klinik, kardiologjik dhe laboratorik.
Ai ka bërë të ditur se nesër do të mblidhet stafi i Ortopedisë për të diskutuar rreth trajtimit të tij kirurgjik.
“Për momentin është i hospitalizuar në klinikën e ortopedisë, ka lëndime të rënda trupore, është në observim të mëtejmë klinik, kardiologjik dhe laboratorik. Besojmë që tash parametrat janë stabil, nesër do të mblidhemi konsulumi dhe më tutje do të vendosim në lidhje me trajtimin e tij kirurgjik..00:32 Për momentin jemi duke e përcjellë sepse është pjesa e emergjencës, e mjekëve, lëndimeve të tjera trupore, përpos atyre ortopedike, fillojmë me ato çka janë prioritet vital e pastaj shkojmë duke zvogëluar rrezikshmërinë për indikacionin e më tejmë të trajtimit”, ka thënë Delijaj.
Një mur është shembur të premten mbrëma në Han të Elezit, duke rënë mbi një veturë që po lëvizte në atë moment. Si pasojë, shoferi i automjetit ka mbetur i bllokuar nën rrënoja për disa minuta.
Në veturë ndodhej vetëm shoferi, një i mitur 16-vjeçar. Menjëherë pas raportimit të rastit, ekipet e shpëtimit kanë intervenuar për nxjerrjen e tij nga automjeti i dëmtuar. Aty janë parë edhe qytetarë që kanë ndihmuar, duke përfshirë edhe një eskuvatorë./KP/


