I lë fëmijët mbyllur në veturë të lodhur e të dehidruar, e ëma gjobitet me 300 euro në Prizren
Një grua më datë 27.06.2026 i ka lënë fëmijët të mbyllur në veturë të rraskapitur nga i nxehti, duke qenë se temperaturat ishin shumë të larta në Prizren.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se policia pas marrjes së informatës ka arritur në vendin e ngjarjes dhe me ndihmën e shufrës metalike ka hapur automjetin.
"Më datë 27.06.2026, rreth orës 17:50, Policia ka pranuar informacion se në një veturë të parkuar në një qendër tregtare në Prizren ndodheshin disa fëmijë të mbyllur brenda, të rraskapitur nga i nxehti, duke qenë se temperaturat ishin shumë të larta. Policia ka arritur menjëherë në vendngjarje dhe me ndihmën e shufrës metalike ka hapur automjetin. Fëmijët ishin të lodhur dhe të dehidratuar nga nxehtësia", thuhet në njoftim.
Tutje siç thuhet në njoftim në vendngjarje është paraqitur edhe e ëma e tyre e cila është gjobitur me 300 euro.
"Për shkak të moskujdesit ndaj të fëmijëve, policia i ka shqiptuar gjobë prej 300 euro, sipas kundërvajtjes 'Moskujdes ndaj të miturit'. Duke marrë parasysh se tani në stinën e verës temperaturat janë shumë të larta, Policia apelon për kujdes të shtuar, sidomos ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave të sëmurë. Në asnjë rast nuk duhet të lihen fëmijët të mbyllur në automjet, pasi pasojat mund të jenë fatale", thuhet në njoftim. /Telegrafi/


