Hysen Durmishi tërhiqet nga lista zgjedhore e Vetëvendosjes
Zyrtari i Lëvizja Vetëvendosje, Hysen Durmishi, ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore të kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme.
Përmes një reagimi publik, Durmishi bëri të ditur se vendimi është marrë me kërkesën e tij personale dhe pas konsultimeve me kryeministrin dhe kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
“Me kërkesën time dhe pas konsultimit me Kryeministrin Albin Kurti, kam vendosur që të mos jem pjesë e listës në këto zgjedhje”, ka deklaruar Durmishi.
Ai ka falënderuar Kurtin për mirëkuptimin dhe mbështetjen, ndërsa është shprehur i bindur se Vetëvendosje do të dalë fituese në zgjedhje, madje me rezultat më të lartë se ai i zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të kaluar.
Durmishi ka theksuar se angazhimi i tij politik do të vazhdojë në funksion të fitores së partisë, duke ftuar mbështetësit e tij dhe qytetarët për mobilizim në zgjedhjet e ardhshme.
“Angazhimi im do të jetë maksimal për fitoren e madhe që na pret”, thuhet në reagimin e tij.


