Please enter at least 3 characters.

Hoxha: Një stacion i ri kulturor po bëhet në Prishtinë

Deputetja e zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha ka folur për stacionin e ri kulturor i cili është duke u bërë në Prishtinë.

Hoxha përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Qendra "Artpolis" po e formëson njërin nga objektet pranë hekurudhës në Prishtinë në një stacion permanent kulturor.

“Një stacion i ri kulturor po bëhet në Prishtinë. Qendra ‘Artpolis’ po e formëson njërin nga objektet pranë hekurudhës në Prishtinë në një stacion permanent kulturor ku teatri, arti vizual, performanca, puna dhe gastronomia vijnë në një koncept të vetëm për ta përkrahur e ndihmuar njëra tjetrën. Pata rastin të shoh nga afër se si po zhvillohen punimet aty”, ka shkruar ajo.

Tutje Hoxha tha se de-centrimi i artit qoftë brenda kryeqytetit e qoftë nëpër qytete të ndryshme në Kosovë krijon më shumë punkte për dialog e ndërveprim dhe mundëson oaza të reja të mendimit dhe shprehjes artistike me komunitetin në qendër.

“Ato më pas të lidhura në një rrjet gjeografik mundësojnë dhe fuqizojnë turizmin kulturor si një sektor vital i ekonomisë”, ka shkruar ndër të tjera Hoxha. /Telegrafi/