Please enter at least 3 characters.

Gjyqtari i VAR-it nën hetim nga FIFA për një gjest të dyshimtë gjatë ndeshjes Gjermani – Curaçao

FIFA ka nisur një hetim ndaj gjyqtarit të VAR-it, Shaun Evans, pas një incidenti të ndodhur para ndeshjes së Kupës së Botës 2026 mes Gjermanisë dhe Curaçaos.

Ngjarja ndodhi pak para fillimit të takimit, kur transmetimi televiziv tregoi dhomën e VAR-it dhe ekipin e gjyqtarëve që do të menaxhonin sistemin e video-asistencës.

Në ato momente, Evans u pa duke bërë me dorë një gjest që ngjasonte me simbolin “OK”, por në një pozicion që në disa raste është lidhur me grupe ekstremiste dhe ideologji të supremacisë së bardhë.


Megjithëse shenja “OK” përdoret zakonisht në komunikimin e përditshëm si një simbol miratimi ose konfirmimi, organizata të ndryshme kundër diskriminimit kanë paralajmëruar se ajo është përdorur herë pas here nga grupe të ekstremit të djathtë si simbol provokues.

Në vitin 2019, Liga Kundër Shpifjes (ADL) paralajmëroi se ky gjest ishte shndërruar në një mjet provokimi nga individë dhe grupe të lidhura me ideologji ekstremiste, veçanërisht në rrjetet sociale.

FIFA ende nuk ka dhënë një qëndrim përfundimtar mbi rastin, por ka konfirmuar se ka hapur procedurat hetimore për të sqaruar rrethanat dhe qëllimin e veprimit të gjyqtarit australian.


Duke qenë se organi më i lartë i futbollit botëror zbaton politikën e tolerancës zero ndaj racizmit dhe diskriminimit, Evans mund të përballet me masa disiplinore, përfshirë largimin nga turneu, nëse konstatohet se gjesti i tij ka pasur konotacione raciste ose diskriminuese. /Telegrafi/