Gërvalla: Ligji për Pronën Publike duhet të garantojë siguri juridike dhe administrim efikas
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se ndryshimet në Ligjin për Pronën Publike janë të domosdoshme për të garantuar siguri juridike, administrim më efikas të pronës publike dhe një kornizë të qartë ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla bëri të ditur se ka marrë pjesë në hapjen e punëtorisë për shqyrtimin dhe finalizimin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Pronën Publike, ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve dhe akterë të tjerë relevantë.
“Ligji për Pronën Publike duhet të krijojë siguri juridike. Krijimi i një kornize të qartë ligjore është thelbësore për garantimin e sigurisë juridike dhe administrimin efikas të pronës publike”, ka shkruar Gërvalla.
Sipas saj, ndryshimi i ligjit është i nevojshëm për të adresuar sfidat e evidentuara gjatë zbatimit të tij, ndërsa suksesi i reformës varet edhe nga harmonizimi me legjislacionin tjetër që rregullon çështjet e pronës publike.
“Ndryshimi i këtij ligji është i domosdoshëm për adresimin e sfidave të evidentuara gjatë zbatimit të tij, ndërsa suksesi i kësaj reforme varet edhe nga harmonizimi me legjislacionin tjetër që rregullon çështjet e pronës publike”, është shprehur ajo.
Ministrja në detyrë ka theksuar se prona publike është pasuri e Republikës së Kosovës dhe administrimi i saj kërkon rregulla të qarta, përgjegjësi institucionale dhe një vizion afatgjatë.
“Prona publike është pasuri e Republikës dhe administrimi i saj kërkon rregulla të qarta, përgjegjësi institucionale dhe vizion afatgjatë. Për këtë arsye, ndryshimet që po ndërmarrim synojnë krijimin e një kornize funksionale, e cila mbron interesin publik dhe njëkohësisht krijon kushte më të favorshme për zhvillimin ekonomik dhe investimet”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo shtoi se një kuadër ligjor i qartë, i harmonizuar dhe i parashikueshëm është parakusht për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e besimit në institucione.
“Një kuadër ligjor i qartë, i harmonizuar dhe i parashikueshëm është parakusht për forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e besimit institucional dhe krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm për të gjithë ata që ndërveprojnë me fushën e pronës publike”, ka theksuar ajo.
Në fund, Gërvalla bëri të ditur se synimi i Ministrisë së Drejtësisë është finalizimi sa më i shpejtë i draftligjit për ta proceduar atë për miratim në Qeveri.
“Qëllimi i Ministrisë së Drejtësisë është që, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe diskutimeve të frytshme, të finalizohet një draft i qartë, i cili do të procedohet sa më shpejt për miratim në Qeveri, duke përmbyllur këtë reformë me një ligj funksional, të zbatueshëm dhe në shërbim të interesit publik dhe të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ministrja në detyrë. /Telegrafi/


