Please enter at least 3 characters.

Fiton Barca

2016/01/fiton-barca_2_hd.jpg

Ishte kjo një sfidë ku u vunë përballë njëri-tjetrit dy supertransferët, Neymar dhe Gareth Bale, të cilën u angazhuan nga minuta e parë. Dhe derisa uellsiani mbeti i heshtur, braziliani ishte njeriu që e vendosi ndeshjen.

Mbretërit preferuan ta fillojnë takimin pa sulmues klasik, me Bale, Ronaldo dhe Di Maria që plotësonin vendet në fazën ofensive.

Në një gjysmë të parë në të cilën dominonte në posedim skuadra vendase, rastet nuk reshtën nga të dyja palët, porse ishin katalunasit ata që shënuan.

Andres Iniesta depërtoi në sulm duke pasuar te Neymar, i cili shënoi golin e epërsisë (19’), për t’u bërë vetëm braziliani i dytë që shënon në debutimin e tij në ‘el Clasico’ (pas Romarios).

Në gjysmën e dytë Los Blancos e kërkuan me ngulm golin e barazimit duke krijuar disa raste, porse rreziku ishte gjithmonë pranë kur vendasit e kishin topin në posedim.

Madje pati një rast të dyshimtë penaltie, kur Mascherano e rrëzoi Cristiano Ronaldon në zonë, por arbitri e vazhdoi lojën.

Dhe dushi i ftohtë erdhi nga zëvendësuesi Alexis Sanchez, të cilit iu deshën vetëm tetë minuta lojë për ta shënuar golin e sigurisë (78’).

Në minutat shtesë, mysafirët arritën të shënojnë përmes Jese Rodriguez (90’+1), por tashmë ishte vonë për të kërkuar edhe një gol.

Pas dhjetë xhirosh, lideri Barcelona numëron 28 pikë gjashtë më shumë se Real Madridi që gjendet në vend të tretë. /Telegrafi/