FFM shpall ndeshjen Bashkimi – Vardari si duel me rrezik të lartë!
Të hënën e ardhshme (29.09.2025), në Kumanovë, Bashkimi do të përballet me Vardarin nga Shkupi, në ndeshjen që mbyll javën e 8-të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, njofton Telegrafi.
Komisioni i Garave ka kërkuar nga Federata e Futbollit të Maqedonisë, që ky duel të shpallet si ndeshje me rrezik të lartë, për shkak të rivalitetit dhe tensioneve të mundshme mes tifozërive.
Në njoftimin zyrtar mes tjerash thuhet:
“Ju lutemi që lidhur me këtë ndeshje kampionale të ndërmerren masa sipas kompetencave përkatëse. Klubet janë të obliguara të veprojnë në përputhje me ligjin për parandalimin e dhunës dhe sjelljeve të pahijshme në ndeshjet sportive, si dhe me rregulloren e FFM-së për siguri dhe mbrojtje gjatë ndeshjeve të futbollit.”
Takimi Bashkimi – Vardari luhet në stadiumin e Kumanovës të hënën, duke filluar nga ora 15:00. /Telegrafi/


