Please enter at least 3 characters.

Fenomeni ‘El Nino’, viti 2027 mund të jetë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë

Fenomeni El Nino, i cili po zhvillohet mbi Oqeanin Paqësor, ka të ngjarë të jetë më i fuqishmi i regjistruar ndonjëherë, ka paralajmëruar Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar (Met Office).

Ky fenomen i fuqishëm natyror klimatik rrit temperaturat globale dhe mund të shtojë rrezikun për kushte ekstreme të motit.

I kombinuar me efektet e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, Met Office paralajmëron se është “shumë e mundshme” që viti 2027 të jetë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.

Po shtohen dëshmitë se modelet e motit në mbarë botën tashmë po ndikohen, me reshje musonike nën mesataren në Indi dhe aktivitet më të ulët të uraganeve në Oqeanin Atlantik, shkruan BBC.

El Nino mund ta rrisë rrezikun që Mbretëria e Bashkuar të përballet me një vjeshtë më të lagësht dhe me më shumë stuhi.

“Duhet ta kemi të qartë se ky është një fenomen i paprecedentë”, është shprehur Adam Scaife, kreu i parashikimeve afatgjata në Met Office të Mbretërisë së Bashkuar.

“Nuk kam parë kurrë një sinjal të El Niños kaq intensiv në parashikimet tona”, tha ai.

Çfarë është El Nino?

El Nino është një dukuri natyrore e motit që shfaqet afërsisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe zgjat rreth një vit.

Erërat të cilat zakonisht fryjnë nga lindja drejt perëndimit përtej Oqeanit Paqësor, mund të dobësohen ose edhe të ndryshojnë drejtim, duke bërë që ujërat e ngrohta të përhapen drejt lindjes.

Nxehtësia çlirohet nga oqeani në atmosferë, duke rritur temperaturat globale dhe duke ndryshuar modelet e reshjeve.

Shkencëtarët shpallin një fenomen El Nino kur temperatura e sipërfaqes së detit në një zonë kyçe të Paqësorit është të paktën 0.5°C mbi mesataren.

Matjet aktuale tregojnë se temperaturat janë më shumë se 2°C mbi normalen.

Parashikimet e fundit të Met Office sugjerojnë se këto temperatura mund të jenë më shumë se 3°C mbi mesataren më vonë gjatë këtij viti, ndërsa El Niño i afrohet kulmit.

Kjo do të ishte e paprecedentë në të dhënat që datojnë që nga viti 1950 dhe ndoshta do të përbënte fenomenin më të fuqishëm që nga shekulli XIX.

Temperaturat shumë të larta në thellësi të oqeanit – rreth 8°C mbi normalen në një thellësi prej 100 metrash në disa zona – mund ta fuqizojnë edhe më tej El Ninon, duke shërbyer në thelb si një rezervuar uji të ngrohtë që furnizon dhe përforcon fenomenin.

“Na presin ende shumë muaj gjatë të cilëve ky fenomen do të vazhdojë të zhvillohet dhe kjo është një nga arsyet pse kemi rritur besimin se ky do të jetë një fenomen rekord”, tha Zeke Hausfather, shkencëtar i klimës në Berkeley Earth, një organizatë kërkimore amerikane.

Disa organizata të tjera klimatike kanë parashikuar një fenomen edhe më të fuqishëm se ai që parashikon Met Office, ndoshta me temperatura deri në 4°C mbi mesataren.

Nëse kjo do të ndodhte, “nuk është përtej mundësive të thuhet se ky mund të jetë fenomeni më i fuqishëm El Nino në 500 apo edhe 1,000 vjet”, tha Hausfather, megjithëse është e pamundur të përcaktohet me siguri një gjë e tillë për një periudhë kaq të gjatë.

Ndikimet e motit në mbarë botën

Ndryshimi i shpërndarjes së nxehtësisë në oqean, së bashku me ndryshimet në modelet e erërave në atmosferë, mund të ketë ndikime të gjera në motin në mbarë botën.

Asnjë fenomen El Nino nuk është i njëjtë me tjetrin dhe ndikimi në modelet e motit mund të ndryshojë. Megjithatë, ka dëshmi se efektet e tij tashmë po ndihen.

Për shembull, gjatë viteve me El Nibo, musoni jugperëndimor mund të sjellë më pak reshje në Azinë Jugore dhe deri tani, në vitin 2026, reshjet kanë qenë dukshëm nën normalen.

Ndryshimet në modelet e erërave në Karaibe dhe Atlantikun tropikal mund të ulin aktivitetin e uraganeve.

Deri tani, gjatë këtij sezoni, janë regjistruar vetëm tre stuhi të emërtuara.

Në zonat pranë Paqësorit tropikal, ndikimi i El Ninos mund të jetë shumë i madh, duke rritur rrezikun për thatësira dhe zjarre në Australi, si dhe kërcënimin për përmbytje në Peru, Ekuador dhe në jug të Shteteve të Bashkuara.

Çfarë ndikimi do të ketë El Nino në motin e Mbretërisë së Bashkuar?

El Nino nuk konsiderohet të ketë qenë faktor kryesor në valët rekord të të nxehtit që kanë dominuar këtë verë.

Megjithatë, ai mund të ketë ndikim më të madh në mot gjatë vjeshtës dhe fillimit të dimrit, duke rritur mundësinë për kushte të lagështa dhe me stuhi në Evropën veriperëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.

El Nino mund të rrisë edhe mundësinë për mot të ftohtë në fund të dimrit, megjithëse lidhjet në këtë rast janë më pak të qarta.

2027 “shumë i mundshëm” të jetë viti më i nxehtë i regjistruar

Gjatë fenomeneve El Nino, sasi të konsiderueshme nxehtësie çlirohen nga oqeani në atmosferë.

Shkencëtari i klimës në Met Office, Nick Dunstone, thotë se kjo mund të çojë në “një rritje të temperaturës mesatare globale, veçanërisht në vitin kalendarik pas kulmit dimëror të El Ninos”.

“Prandaj, 2027 ka shumë të ngjarë të zëvendësojë vitin 2024 si viti më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë”, tha ai.

Në fillim të këtij muaji, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë paralajmëroi se El Niño mund të kërcënojë dhjetëra miliona njerëz në vendet më të rrezikuara me nivele kritike të pasigurisë ushqimore. /Telegrafi/