Please enter at least 3 characters.

Eloy Room hyn në histori të Kupës së Botës, vendos rekord me 15 pritje ndaj Ekuadorit

Portieri i Curaçaos, Eloy Room, shkroi historinë në Kupën e Botës 2026 duke vendosur një rekord të ri për numrin më të madh të pritjeve në një ndeshje 90-minutëshe të turneut.

Në barazimin 0-0 ndaj Ekuadorit, gardiani i Curaçaos realizoi plot 15 pritje, më shumë se çdo portier tjetër në historinë e Kupës së Botës, duke u bërë protagonisti absolut i takimit të zhvilluar në Kansas City.

Falë paraqitjes së tij fenomenale, Curaçao fitoi pikën e parë në historinë e pjesëmarrjeve në Kupën e Botës, ndërsa mbajti të paprekur portën përballë një Ekuadori që dominoi ndeshjen nga fillimi deri në fund.

Room nisi shfaqjen e tij që në minutën e tretë, kur ndali një goditje të rrezikshme të Enner Valencias. Më pas ai neutralizoi përpjekjet e John Yeboah, Pedro Vite, Gonzalo Plata, Moises Caicedo, Kevin Rodriguez dhe Nilson Angulo, duke u shndërruar në një mur të pakalueshëm.

Një nga momentet më spektakolare erdhi në pjesën e dytë, kur portieri reagoi në mënyrë të shkëlqyer ndaj një goditjeje me kokë të Valencias nga afërsia, përpara se të ndalte edhe tentativën e Kevin Rodriguez pas goditjes nga këndi.

Ekuadori regjistroi dhjetëra tentativa drejt portës kundërshtare, por asnjëra nuk arriti të mposhtte Roomin, i cili zhvilloi pa diskutim ndeshjen e jetës së tij.

Ndërsa Ekuadori tashmë rrezikon eliminimin dhe do të ketë nevojë për rezultat pozitiv ndaj Gjermanisë në ndeshjen e fundit të grupit, Curaçao feston një moment historik. Pas humbjes së rëndë 7-1 ndaj Gjermanisë në debutimin e saj në Kupën e Botës, skuadra karaibiane reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar pikën e parë në historinë e turneut.

Në qendër të këtij suksesi qëndron Eloy Room, njeriu që me 15 pritje vendosi një rekord të ri botëror dhe siguroi një nga paraqitjet më të jashtëzakonshme të një portieri në historinë e Kupës së Botës. /Telegrafi/