Elektrifikimi i hekurudhës Tiranë–Durrës dhe lidhja me Rinasin, ratifikohet marrëveshja e huas me BERZH 11.6 milionë euro
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Marrëveshja e botuar në Fletoren Zyrtare siguron financimin për zgjerimin e projektit hekurudhor, i cili synon elektrifikimin e plotë të linjës Tiranë–Durrës dhe segmentit të ri që lidh këtë rrjet me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Detajet e projektit dhe financimit
Sipas dokumenteve zyrtare, vlera e huasë së marrë nga BERZH kap shumën prej 11.62 milionë eurosh (nga të cilat 11.5 milionë euro alokohen drejtpërdrejt për punimet e elektrifikimit dhe 120 mijë euro për komisionin fillestar). Projekti i plotë i elektrifikimit bashkëfinancohet në masën 50% nga grantet e Bashkimit Evropian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF), duke e çuar koston totale të kësaj faze në 25.12 milionë euro.
Asetet dhe segmentet që përfshihen në këtë zgjerim janë:
Linja ekzistuese Tiranë–Durrës: Elektrifikimi i një gjatësie prej rreth 34.17 km.
Lidhja me Rinasin: Elektrifikimi i segmentit të ri hekurudhor me gjatësi rreth 5 km që lidh linjën kryesore me Aeroportin e Rinasit.
Sa i përket afatit të realizimit, në marrëveshje përcaktohet se “zgjerimi i projektit pritet të përfundojë deri më 1 prill 2027.”
Disbursimi i parë i fondit prej BERZH-it i nënshtrohet disa kushteve rigoroze teknike dhe mjedisore. Ndër to përfshihen krijimi i plotë operacional i Njësisë së Zbatimit të Projektit (NJZP), zbatimi i Planit të Veprimit Mjedisor dhe Social, si dhe përgatitja e Planit të Blerjes së Tokës dhe Angazhimit të Palëve të Interesuara, raporton RTSH.
Marrëveshja u nënshkrua zyrtarisht në Tiranë nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, në emër të Republikës së Shqipërisë, dhe Drejtuesja për Shqipërinë e BERZH-it, Ekaterina Solovova.


