Please enter at least 3 characters.

Edhe tryezat e ushqimit na janë mbushur me korrupsion

Çdo sferë e jetës është vërshuar me fjalën korrupsion, sa që edhe ajri që po e thithim, edhe ashtu është i ndotur, ka fituar grimca të imta të korrupsionit dhe po na shkakton probleme të mëdha shëndetësore, sidomos në frymëmarrje. Nuk ka mbetur ditë pa dëgjuar për afera të korrupsionit, për dëmet që po na shkakton të gjithëve, për imazhin e keq që kemi fituar në botë, për mos luftimin e tij, etj., por gjyqësori i Kosovës ka ndërruar misionin dhe qëllimin e tij për të mbrojtur ligjin, duke mbjellë dhe kultivuar korrupsionin në njërën prej shtyllave kryesore të një shteti demokratik. Gjykatat tona jo vetëm që nuk e kryejnë punën e tyre në respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e Kushtetutës, por po janë dëmtuesit më të mëdhenj të tyre, duke i shkaktuar dëme të mëdha Kosovës në shumë aspekte.

Ka shumë faktorë që po ndikojnë në krijimin e kësaj gjendje, por faktori kryesor në këtë mes është vet mosfunksionimi I gjykatave, duke mos dënuar korrupsionin dhe të korruptuarit, si dhe duke u dhënë hapësirë për të vepruar edhe më tutje dhe për të shpërndarë sa më shumë atë. EULEX erdhi në Kosovë për të luftuar edhe korrupsionin në mesin e detyrave tjera, por erdhi vetëm për të vazhduar rrugën e UNMIK-ut dhe për të mos bërë asgjë në këtë drejtim ashtu siç ka bërë në 10 vitet e kaluara UNMIK-u, duke mbjellë sa më shumë atë në të gjitha fushat e jetës në Kosovë. Puna e EULEX-it deri më tani ka qenë vetëm të japë deklarata të mëdha dhe të bëjë skena mediale sa për të mbuluar mospunën e tyre.

Muaji i fundit ishte mjaft i nxehtë për shkak të disa veprimeve dhe aksioneve të EULEX-it, mu në mes të Kosovës, në Prishtinë, duke bërë bastisje në Ministri e në shtëpi, sikur të ishin aksione vërtet që do të arrijnë një rezultat, por jemi shumë skeptik në këtë gjë, duke pasur parasysh përvojat e më hershme nga UNMIK-u dhe asnjë rezultat të deri më tanishëm nga EULEX-i. Nuk kishte pak ditë para se të kapeshin në vepër duke kontrabanduar materiale të ndryshme pjesëtarët e EULEX-it dhe kjo u harrua shumë shpejtë duke u konsideruar si asgjë e re për misionarët e huaj në Kosovë dhe më gjerë. Pas kësaj ngjarje të turpshme për gjithë misionin e Bashkimit Evropian, u ndërmorën disa hapa nga EULEX për të bastisur Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit, me të vetmin qëllim për të mbuluar marritë e tyre dhe për ta drejtuar mendjen e opinionit të gjerë në një drejtim tjetër dhe larg shkeljeve ligjore që po bëhen nga EULEX-i. Pasoi edhe një arrestim tjetër, i Sabit Gecit, prapë me qëllimin e njëjtë si të parin për të shmangur papunësinë e vet dhe për ta bërë popullin sa më konfuz dhe dyshues.

EULEX duhet të ndërmarrë hapa në veri të Kosovës për të normalizuar gjendjen atje, sidomos në gjykatat e veriut dhe në dogana, për të arrestuar prishësit e rendit dhe të ligjit, për të arrestuar kriminelët të cilët kanë krijuar shtetin e tyre në këtë pjesë, por me bekimin e EULEX-it, që nuk po ndërmerr asgjë në këtë drejtim, por po e ka më të lehtë për të vepruar në Prishtinë dhe për të bërë skena të pahijshme dhe veprime jot ë matura.
Është e pamundur të luftohet korrupsioni vetëm përmes deklaratave dhe mëdha, por duhet të forcohet sa më gjumë gjyqësori për të gjykuar rastet e paraqitura dhe për të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm drejt zbutjes së korrupsionit, sepse është e pamundur që tek ne të zhduket i tëri.

(Autori është student në Master - Menaxhimi në Arsim)